Avokatja Refije Gariboviq tha për emisionin “Jeta në Kosovë” se Serbia i ka injoruar obligimet juridike që i janë vënë nga Gjykata e Strazburgut duke zgjidhur vetëm raste individuale
Avokatja nga Novi Pazari i Serbisë, Refije Gariboviq e cila ka përfaqësuar çiftin Grudiq në Strasburg që ngjashëm me Shaban Kelmendin kanë arritur të marrin pensionet nga Serbia, u shpreh e zhgënjyer me veprimet e shtetit serb karshi pensionistëve të tjerë kosovarë.
Gariboviq tha se Serbia i ka injoruar obligimet juridike që i janë vënë nga Gjykata e Strazburgut duke zgjidhur vetëm raste individuale.
“Aktgjykimi në rastin Grudiq kundër Serbisë përmban obligime të qarta juridike. Kjo masë e përgjithshme paraqet obligim për shtetin e Serbisë. Pra, të gjithë pensionistët e Kosovës janë në situatë të njëjtë faktike dhe juridike”, tha avokatja Gariboviq.
Ajo ka bërë thirrje që shteti i Serbisë t’i kryejë obligimet e tij ndaj këtyre pensionistëve në një afat më të shkurtër.
“Me të vërtetë është fjala për persona të moshuar. Kam palë edhe 95 vjeçare dhe nëse diçka nuk zgjidhet së shpejti, me të vërtetë nuk është në rregull jo vetëm nga ana e Gjykatës Evropiane, por edhe nga ana e shtetit të Serbisë.
Me atë, që për personat të cilët mund të vdesin në ndërkohë, e drejta pronësore i mbetet trashëgimtarëve të tyre por qëllimi është që këtyre pensionistëve t’u takojnë paratë e tyre përderisa janë gjallë.”, tha avokatja.