Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka falënderuar homologun e tij turk, Reccep Tayyip Erdogan për deklaratat e tij, se do të mbështes çfarëdo marrëveshje që mund të arrijnë serbët dhe shqiptarë.
Erdogan po qëndron në Beograd ku bisedoi për rreth një orë e gjysëm me presidentin serb, Vuçiq, për bashkëpunimin dypalësh dhe situatën në rajon.
Në konferencën për media, presidenti Vuçiq tha se “falë angazhimit të Erdoganit, është vendosur besim i madh midis Serbisë dhe Turqisë”.
Raportet e mira mes dy vendeve, sipas Vuçiqit, janë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin.
Ndërkaq, presidenti turk Erdogan, tha se Turqia do të vazhdojë të luajë rol në stabilitetit e Ballkanit.
Para vizitës në Serbi, ai kishte thënë për gazetën Politika, se arritja e një marrëveshje për çështjen e Kosovës, e cila kënaq të gjithë palët e interesuara, është jetike për të arritur stabilitetin dhe paqen afatgjatë në Ballkan.
Gjatë vizitës dy ditore në Serbi, Erdogan do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e nisjes së punimeve në autostradën Beograd-Sarajevë.
Pjesë e delegacionit turk janë edhe një numër i përfaqësuesve të bizneseve dhe të dyja vendet nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe.
Presidenti i Turqisë, Erdogan, i cili thotë se marrëdhëniet Turqi-Serbi janë në nivelin më të lartë historik, vizitoi për herë të fundit Serbinë në tetor të vitit 2017.