Një politikë migrimi e prezantuar nga qeveria serbe është fajësuar për rritjen e numrit të migrantëve që po tentojnë të kalojnë Kanalin Anglez.
Skema, e cila u mundëson udhëtim pa viza shtetasve iranianë në Serbi, është menduar të rrisë turizmin mes dy vendeve dhe të tërheqë investimet biznesore, raporton “DailyMail”.
Është thënë po ashtu se vendimi për heqjen e vizave për shtetasit iranianë ka qenë shpërblim për mos-njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Irani.
Por ky veprim ka rezultuar në rritje të jashtëzakonshme të numrit të iranianëve që po kërkojnë azil në Serbi – apo po e shfrytëzojnë vendin si shteg për të kaluar në Evropën Perëndimore.
Marrëveshja mes Iranit dhe Serbi hyri në fuqi në gusht të vitit të kaluar por u tërhoq muajin e kaluar pasi BE-ja ngriti brengat se e njëjta po abuzohej.
Nga koha kur marrëveshja hyri në fuqi, më 17 tetor të vitit të kaluar, rreth 40,000 iranianë thuhet të kenë shkuar në Serbi.
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Brendshme britanike tregojnë se numri më i madh i kërkesave për azil kanë ardhur nga iranianët.
Deri në qershor të këtij viti, Britania ka pranuar 27,044 aplikime për azil, që është një rritje prej 14 për qind nga viti i kaluar.
Miodrag Cakiq, shef ekzekutiv i “Refugee Aid Serbia”, që monitoron migrimin përmes Ballkanit, ka thënë: “Mendoj se qëllimet e qeverisë serbe kanë qenë të mira – të krijohet më shumë turizëm në Beograd – por doli se shumë iranianë erdhën këtu dhe nuk u kthyen asnjëherë në shtëpi ose u shpërndanë nëpër vende tjera”.