Pasi Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën, serbët nga Kosova që kanë pasaporta serbe nuk do ta gëzojnë këtë të drejtë dhe aktualisht janë grupi i vetëm në Evropë për të cilin ende vlen ndalimi i udhëtimit pa viza.
Për këtë arsye, Serbia i ka kërkuar Komisionit Evropian shfuqizimin e vendimit për detyrimin për vizë për serbët e Kosovës, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese në Beograd, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, ka thënë për “Kosova Onllajn” Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Sipas MPJ-së serbe, “përfaqësuesit diplomatikë dhe të tjerë të Serbisë janë në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e Komisionit Evropian në lidhje me dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Administrata Koordinuese për qytetarët që banojnë në Kosovë”.
Kjo ministri ka thënë po ashtu se pas vendimit të institucioneve të BE-së për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, institucionet e Serbisë kanë nisur diskutime të intensifikuara me Komisionin Evropian lidhur me dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Administrata Koordinuese.
“Qëndrimi i Republikës së Serbisë për këtë çështje është mjaft i qartë – qytetarët që janë bartës të dokumenteve të udhëtimit të lartpërmendura nuk mund dhe nuk guxojnë të diskriminohen dhe detyrimi për të pasur vizë për udhëtim në BE duhet të hiqet”, thotë MPJ-ja serbe.
Më tej, kjo ministri thekson se “në kuptimin formal, procedura e vendimmarrjes për këto dokumente udhëtimi nuk lidhet drejtpërdrejt me liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën”, shkruan kjo medie.
“Institucionet e BE-së duhet të marrin një vendim të veçantë dhe të ndryshojnë Rregulloren ekzistuese, e cila i referohet Republikës së Serbisë. Ne presim, siç u është përcjellë përfaqësuesve të Komisionit Evropian, që vendimi për detyrimin për të pasur vizë për këtë kategori, të shfuqizohet”, ka thënë MPJ e Serbisë.
Kujtojmë se javën që po e lëmë pas, Parlamenti Evropian mori vendimin final për heqjen e kërkesës për viza gjatë udhëtimeve të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.
Institucionet e BE-së kanë qenë të qartë për sa i përket qytetarëve serbë të Kosovës që posedojnë pasaporta të Serbisë. Për ta, liberalizimi nuk vlen.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas ceremonisë së nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave të mërkurën në Strasburg, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të pajisen me pasaporta të shtetit të Kosovës në mënyrë që të gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza.
Të dhënat zyrtare për tre muajt e parë të vitit 2023 tregojnë se numri i qytetarëve serbë nga pjesa veriore e Kosovës, të cilët po pajisen me pasaportë të Kosovës, është në rritje, sipas REL.