Kabineti i kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, së bashku me Ministrinë e Tregtisë së Bosnjës dhe Hercegovinës në krye me Mirko Saroviqin, u kanë dërguar një kërkesë për konsultime zyrtarëve të CEFTA-s dhe UNMIK-ut, duke i paraqitur shqetësimet për taksën e vendosur të Kosovës ndaj produkteve të tyre.
Në dokumentin e dërguar nga Serbia dhe Bosnja theksohet se si tarifa 100 për qind e vendosur ndaj mallrave që ato prodhojnë ka pasur një efekt negativ në ekonomitë e tyre.
Klan Kosova ka arritur ta sigurojë dokumentin zyrtar të Serbisë ku shkruan se ky vendim i Kosovës i ka kushtuar me humbje prej 440 milionë eurosh.
“Masat tarifore dhe kufizimet në importim që Kosova i ka vendosur kohët e fundit mbi disa produkte, kanë vlerë tregtare prej 440 milionë eurosh, të cilat veçanërisht vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”.
Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shkruan se tarifa prej 100 për qind e vendosur nga Kosova ka bërë që eksportet e saj në Kosovë të pësojnë zbritje prej 50 për qind.
“Këto tarifa kanë pasur ndikim negativ në tregti, duke qenë se eksportet e Bosnje dhe Hercegovinës në Kosovë tashmë kanë pësuar rënie prej 50 për qind. Është e qartë se masat e tilla po rrezikojnë ndërmarrjet e Bosnje dhe Hercegovinës, siç janë industria metalike, elektrike, ushqimore, farmaceutike, etj”.
Mirëpo, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës u është kundërpërgjigjur këtyre kërkesave duke thënë se nuk është CEFTA apo UNMIK-u ajo që ka vendosur taksën, mirëpo Republika e Kosovës e ka marrë këtë vendim në përputhje me Kushtetutën e saj, e cila garanton integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës, i cili është i paprekshëm, i pacenueshëm dhe i mbrojtur me të gjitha mjetet që garanton Kushtetuta.
Dokumentin të cilin e ka nënshkruar vetë ministri Shala thuhet se kërkesa nga këto shtete është “e pavlefshme dhe e papranueshme për Qeverinë e Kosovës”.
Shala ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk do t’i përgjigjet asnjë kërkese për sa kohë që Serbia dhe Bosnja nuk i drejtohen Kosovës me emërtimin e saj kushtetues dhe sipas Nenit 42 të marrëveshjes se CEFTA-s.
“Kosova do t’i përgjigjet vetëm kërkesave të CEFTA-s kur ato janë të bëra në harmoni me Nenin 42 të CEFTA-s në harmoni me emërtimin kushtetues”, shkruan në dokumentin e MTI-së.