Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se pret që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, me autoritetin që kanë, t’i mundësojnë popullit serb në Kosovë të votojë në zgjedhjet e Serbisë, të cilat do të mbahen në muajin prill.
Në një bisedë me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Bocan Harchenko, Petkoviq tha se në Kosovë vazhdon “fushata e presionit dhe represionit kundër popullit serb”.
Sipas tij, autoritetet në Kosovë përpiqen haptazi “të rrezikojnë dhe shfuqizojnë” të gjitha të drejtat politike dhe civile të serbëve.
Petkoviq tha se për Beogradin, mbështetja dhe ndihma e Rusisë për çështjen e Kosovës janë të një rëndësie të madhe, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, duke u thirrur në një njoftim të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Beogradi, tha Petkoviq, është i vendosur që në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të përpiqet të gjejë zgjidhje kompromisi, por edhe të mbrojë interesat e serbëve.
Më 16 janar, Serbia ka organizuar një referendum për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë dhe kjo ka qenë hera e parë që në mjediset me shumicë serbe në Kosovë nuk është hapur asnjë vendvotim.
Ky ka qenë vendim i Qeverisë së Kosovës, me arsyetimin se hapja e vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Qytetarët serbë kanë mundur ta ushtrojnë të drejtën e votës me postë ose përmes Zyrës Ndërlidhëse me Serbinë.
Vendimi i Qeverisë është mbështetur edhe nga Kuvendi i Kosovës më 15 janar, përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që serbëve në Kosovë t’iu mundësohet të votojnë në referendumin e organizuar nga Serbia.
Më 3 prill, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet në Kosovë – kanë thënë më herët se votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet serbe të 3 prillit, “do të duhej të bëhej në të njëjtën mënyrë sikurse në rastin e referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese”.