Njohës të rrethanave politike e diplomatë që kanë qenë të inkuadruar në tentimin e parë të Kosovës për t’u bërë anëtare e UNESCO-s, i kanë rekomanduar Qeverisë që të aplikojë prapë për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë, shkruan sot Koha Ditore.
Në debatin “Kosova, UNESCO dhe trashëgimia kulturore serbe”, të mbajtur të enjten në qendrën “Multimedia”, e cila e ka organizuar atë në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale të Universitetit të Beogradit, të pranishmit kanë përmendur edhe disa zotime që duhet t’i përmbushë Kosova për të riaplikuar.
Përderisa për dikë, fakti që në nëntor të vitit 2015 për tri vota nuk u arritën dy të tretat që Kosova të jetë anëtarja e 156-të e UNESCO-s, ishte një sukses, dikush tjetër ka konsideruar se trashëgimia kulturore nuk duhet të politizohet. Ka pasur edhe mendime se kundërshtimi i Serbisë në rrugën e Kosovës drejt UNESCO-s është i kotë. Kjo sepse anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është çështje nëse dhe apo, por kur.
Dimitris Moschopoulos, këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës, sa i përket trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të provojnë prapë për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. Por Moschopoulos ka numëruar disa detyra që sipas tij Kosova duhet t’i plotësojë.
“Është Ligji për liritë fetare. Vitin e kaluar Kuvendi ia ka kthyer atë Qeverisë. Strategjia dhjetëvjeçare për trashëgimi kulturore tashmë është miratuar me kontributin e disa diplomatëve. Ka një përmbajtje të mirë ku edhe Kisha Ortodokse Serbe ndihet komode. Është edhe Projektligji për trashëgimi kulturore. Në prill të vitit 2015, Projektligji ishte prezantuar për publikun. Ka pasur kritika nga bashkësia ndërkombëtare e ekspertët e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai. Sipas Moschopoulos, Projektligji përcaktonte se monumentet arkitekturore që përbëjnë trashëgiminë kulturore të Kosovës janë pronë e Republikës së Kosovës.