Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se vendi i tij asnjëherë nuk do të marrë pjesë brenda një koalicioni që do të punojë kundër Turqisë.
Daçiq dhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, pas hapjes së Konsullatës së Nderit të Serbisë në Antalya, zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi.
“Ashtu siç e dini gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik ne nuk pritëm se çka do t’i ndodhë (Recep Tayyip) Erdoğanit, menjëherë e dënuam grusht shtetin. Dua të them edhe një herë që Serbia asnjëherë nuk do të marrë pjesë brenda një koalicioni që do të punojë kundër Turqisë”, tha kryediplomati i Serbisë duke theksuar mbështetjen e vendit të tij ndaj Turqisë në kohërat e vështira, raporton AA.
Ai tha se me vizitën e vitit të kaluar të presidentit Erdoğan në Serbi ka filluar një periudhë e re. Daçiq gjithashtu tha se edhe ekonomikisht marrëdhëniet midis dy vendeve janë në drejtim të mirë dhe se të dy vendet janë të kënaqura nga kjo.
Daçiq shtoi se me Turqinë dëshirojnë që të zhvillojnë marrëdhëniet kulturore, arsimore dhe sportive.
Ndërsa në lidhje me konsullatën që u hap në Antalya, u shpreh “Vitin e ardhshëm do të festojmë 140 vjetorin e marrëdhënieve. Ne dëshirojmë që këto marrëdhënie miqësore t’i zhvillojmë edhe më shumë”.
Kryediplomati serb theksoi se do të punojnë në drejtim të interesave të popujve ballkanas që jetojnë në Turqi dhe popujve myslimanë që jetojnë në Serbi.