Në Serbi gjatë 24 orëve të kaluara, pesë persona kanë vdekur nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 44, tha Goran Stevanovic, drejtori i Qendrës Klinike Infektive në Serbi. Numri i përgjithshëm i të prekurve është 1.624, teksa janë testuar gjithsej 6.401 vetë.
Në mbështetje të ekonomisë së vendit, qeveria serbe paraqiti pak ditë më parë një paketë financiare prej 5.1 miliardë eurosh, tha ministri i Financave Sinisa Mali. Për çdo qytetar mbi 18 vjeç do të ketë një pagesë të menjehershme prej 100 eurosh.
Ministri sqaroi se ishin duke prezantuar gjithashtu një skemë garancie prej 2 miliardë eurosh. “Këto janë kredi që do të mbështeten nga shteti dhe bankat nuk do të kenë një rrezik të madh. Ato do të merren nga sipërmarrësit për likuiditetin dhe kapitalin qarkullues”, theksoi ai.
Çdo punonjësi të sipërmarrjeve të vogla apo të mesme në vend, ekzekutivi angazhohet ti paguajë rrogat për tre muaj që t
i ndihmojë në kapërcimin e situatës. Mali tha se masat që u hartuan për gati 10 ditë, kanë për objektiv kryesor ruajtjen e niveleve të punësimit që nevojiten për të ndihmuar kompanitë më të prekura nga kriza e koronavirusit.
“Pikërisht për këtë arsye, shteti vendosi të merrte përsipër barrën e krizës”, u shpreh ai, duke shtuar se qeveria serbe mbetet e vendosur në pozicionin e saj për të mos ulur pagat në sektorin publik, për të mos shkurtuar punonjës apo ulur pensionet pasi ka para të mjaftueshme në buxhet, ndërsa shtoi se ekzekutivi do të bëjë përpjekje që të respektojë edhe të gjithë detyrimet ndaj sektorit privat.