Serbia në panik- Çështja e Kosovës rrezikon t’i lë 200 mijë njerëz të papunë

Prishtinë | 29 Jan 2023 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave në Serbi, Sinisha Mali ka thënë sot se tërheqja e investitorëve do ta kthente Serbinë 30 vjet prapa, ndërsa ekziston rreziku që diçka e tillë të ndodhë për shkak të Kosovës.

“Kosova është sfida me e madhe për politikën ekonomike të Serbisë dhe bisedimet janë faktori më i rëndësishëm që do të përcaktojnë politikën tonë në përgjithësi këtë vit”, deklaroi Mali.

Duke e bërë të qartë se ndërkombëtarët i kanë paralajmëruar për tërheqje të investimeve nga vendet e BE-së, Mali ka theksuar se aktualisht ato vende kanë të punësuar mbi 200 mijë njerëz në Serbi.

Ai tha se tërheqja e investitorëve nga Perëndimi do të ishte një fatkeqësi, pasi sipas tij, Serbia do të kthehej 30 vite prapa.

“Ajo për të cilën kemi luftuar në 10 vitet e fundit do të fshihej si me gomë. Çështja e Kosovës do të përcaktojë fatin e vendit dhe ekonomisë tonë” shtoi Mali.

Tutje, ai potencoi se beson tek Vuçiq duke theksuar se ai nuk dorëzohet lehtë.

Investimet amerikane në Serbi

Në fillim të janarit mediat serbe kanë raportuar për një marrëveshje të nënshkruar në mes ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Sipas raportimeve, ata sot nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Sipas Tanjung, Hill u shpreh i kënaqur me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për emërimin e oficerit ndërlidhës, pozitë për një diplomat serb që do të punojë në Departamentin e Shtetit.

“Mendojmë se kjo është një mundësi reale që ministritë tona të afrohen dhe të njohin më mirë diplomatët tanë. Mendoj se Serbia ka traditë të diplomatëve të mirë”, tha Hill, përcjell Insajderi.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se bashkëpunimi ekonomik midis SHBA-së dhe Serbisë, vitin që e lamë pas, ka kaluar shifrën një miliardë dollarë.

“Është me rëndësi të madhe që më shumë se 30 mijë punëtorë janë të punësuar nga kompanitë amerikane në Serbi”, ka thënë Daçiq në konferencën e përbashkët për shtyp.

Daçiq tha se presin edhe një vizitë nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, pasi sipas tij kjo do të konfirmonte vendosmërinë e administratës aktuale amerikane.

Të ngjashme