Beogradi në vjeshtë do të nisë aksion diplomatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të paraqitur para publikut dhe zyrtarëve një pamje të vërtetë të situatës në Kosovë.
Sipas “Veçernje Novosti” “në Kongresin Amerikan do të organizohet një dëgjim publik ose diskutim, në të cilin përfaqësuesit e Parlamentit serb do të flasin për historinë e luftës në Kosovë” por edhe “vrasjet e serbëve” .
Kjo e përditshme serbe shkruan se “kjo do të ishte një mundësi për të paraqitur prova të reja kundër kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, që mund ta kthejnë atë në stolin e të paditurit”.
Nënkryetari i parlamentit të Serbisë Vladimir Marinkoviq thuhet se është duke punuar në përgatitjen e kësaj ngjarjeje në bashkëpunim me përfaqësuesin e grupin serb në Kongres, Steve Stivers.
Në mesin e folësve në Kapitol Hill raportohet se do të jetë edhe kryetari i të ashtuquajturit Komision Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, “i cili po punon intensivisht për të mbledhur prova kundër Haradinajt”.
Marinkoviq i tha Novostit se kjo do të ishte një mundësi për disa nga politikanët amerikanë të dëgjojnë për herë të parë atë që ndodhi me të vërtetë në Kosovë nga 1998 deri në 2000, por edhe më vonë.
“Ata do t’i shohin provat në dispozicion të Grupit Punues të Komisionit Parlamentar për Kosovën, si dhe raportin për trafikimin e organeve njerëzore nga Dick Marty, një ish raportues i Këshillit të Evropës”, thotë Marinkoviq.
Sipas tij, do të jetë gjithashtu një lloj “kundërsulm” i asaj që organizoi Kongresmeni dhe lobisti Eliot Engel në fund të prillit kur ish-presidentja Atifete Jahjaga foli për 20 mijë gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, transmeton Klan Kosova.