Drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, të enjten nisi vizitën dyditore në shtetin që Beogradi zyrtar e konsideron “pjesë të Serbisë”
Në mesin e vendeve që vizitoi emisari serb ishte dhe fshati Gojbulë i Vushtrris, njofton Klan Kosova.
Aty politikani serb vizitoi një familje djali i së cilës 13 vjeçari Nikolla Periq sipas rrëfimit të tyre u sulmua më 1 korrik.
Petkoviq, pa pritur një përfundim zyrtar të hetimit të rastit thotë se dihet kush e sulmoi, Periqin të cilit i dha dhurata e zotime se vetë presidenti Aleksandar Vuçiq po kujdeset për rastin e tij madje duke e përmendur edhe në takimin e dialogut të Brukselit.
“Kush dëshiron të takojë një hero 13 vjeçar duhet të vijë në Gojbulë, pasi ne erdhëm sot dhe takuam një hero të vogël të vërtetë, Nikolla Periq, i cili u rrah nga “ekstremistët shqiptarë”, vetëm pse është serb, i cili ka një emër serb dhe mbiemrin dhe sepse ai ka mbajtur një kryq ortodoks, i cili u hoq nga gjoksi i tij dhe u shkel me këmbë në kohën e sulmit”, tha ai.
Petkoviq acarueshëm reagoi kur u pyet se a po i keqpërdorin ata fëmijët për përfitime politike.
”Fëmijët po i keqpërdorin ata që po i sulmojnë. E dini janë ata që po sulmojnë këtë fëmijë që i kanë shkaktuar plagë Nikollës së vogël. Janë ata që po keqpërdorin jo vetëm Nikollën por edhe të gjithë fëmijët serbë e gjithë serbët në Kosovë e Metohi dhe pronën e tyre”, shtoi emisari serb.
Gjatë vizitës në Gojbulë, Petkoviq ishte i shoqëruar nga ministri për Kthim e Komunitete në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.