Serbia për një muaj i ka paguar 300 mijë euro taksë Kosovës

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Që kur u vendos taksa 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, importi nga këto dy shtete ka rënë jashtëzakonisht shumë.

Sipas të dhënave të fundit të dala nga dogana, për më shumë se një muaj, konkretisht data 21 nëntor kur është vendosur taksa, në Kosovë nga Serbia kanë hyrë 300,000 euro mall të importuar, shkruan lajmi.net.

Për 300,000 euro mall të importuar, shteti serb i ka paguar Kosovës, 300,000 euro taksë, derisa vitet e kaluara kur nuk kishte taksë është paguar vetëm tatimi mbi vlerën e shtuar, ku për 300,000 euro mall, janë paguar vetëm 46,000 euro tatim.

Këto detaje për lajmi.net i ka dhënë zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.

Ai gjithashtu është shprehur se nuk ka pasur rritje të fluksit të importit as gjatë festive të fundvitit.

“Nuk ka fluks, ka rënë gati në minimum, muaji tani ka qenë rreth 300,000 euro mall të importuar për dallim nga viti i kaluar kur për të njëjtën kohë ishte 35 milion”, tha Stavileci për lajmi.net.

Ai gjithashtu është shprehur se produktet e importuara janë kryesisht lëndë e parë, shembull stiropor ose sungjer, produkte pa etiketa që hynë më tutje në procesin e prodhimit.

Ai është shprehur se është rritur fluksi i importimit nga vende të tjera siç janë Maqedonia, Shqipëria e Italia.

I pyetur se nga është orientuar tregu i importimit pas taksës së vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjes, ai është shprehur se është herët të flitet për këtë.

“Është shumë herët sepse ka pasur stoqe. Kompanitë serioze kanë stoqe së paku për dy muaj kështu tani mund të filloj të ndihet efekti”, tha Stavileci për lajmi.net.

Vlen të theksohet se Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera të fuqishme kanë kërkuar nga Kosova që të tërhiqet vendimi për taksën 100 për qindëshe, por Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë një vendim të tillë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme