Serbia rezulton të jetë përfituesja më e madhe e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA).
Nga shkëmbimet tregtare midis 6 vendeve, bazuar në Marrëveshjen e CEFTA-s, Serbia ka peshën më të madhe dhe ekonominë më të zhvilluar nga 6 vendet anëtare të CEFTA-s, shkruan sot Koha Ditore.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka pohuar në Komitetin Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë se gjatë 10 vjetëve të fundit shkëmbimet tregtare të Shqipërisë janë rritur me rreth 5 herë në kuadër të CEFTA-s, ku rritjen më të madhe e kanë shënuar shkëmbimet tregtare me Serbinë me 8.73 herë, me Kosovën me 6.2 herë dhe me Malin e Zi me 5.6 herë.
Në total, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit në vitin 2017 zënë 11.1% të shkëmbimeve të përgjithshme tregtare. Ndërkohë që ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për të krijuar një Zonë Ekonomike Rajonale (REA në CEFTA).
Zona Ekonomike Rajonale (REA) është një zonë e integruar, ku mallrat, shërbimet, investimet dhe fuqia punëtore e kualifikuar mund të lëvizin pa pengesa brenda 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rritjen e atraktivitetit ekonomik të rajonit, zgjerimin e tregut për investitorët potencialë, krijimin e zinxhirit të vlerave rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare brenda WB6 dhe BE-së.