‘Vdekja’ e fshatrave dhe vendbanimeve në Serbi po shihet si një problem i madh.
Ministri i ngarkuar për zhvillim regjional dhe koordinim të ndërmarrjeve publike Milan Krkobabiq ka theksuar se vdekja e fshatrave dhe vendbanimeve është një problem i madh, andaj me Akademinë e Shkencave duhet të kërkohet një zgjidhje ka thënë për RTVS.
Krkobabiq ka theksuar se në 1 mijë e 200 vendbanime në Serbi sot nuk ka asnjë banor, ndërkohë që në 550 vendbanime mund të gjenden deri 100 banorë.
“Duhet të krijojmë një ekip së bashku me Akademinë e Shkencave dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal e qendror dhe intelektualët e të gjitha fushave me detyrë që të analizohet dhe definohet situate, të krijohet politika demografike, ekonomike dhe zhvillimore” ka thënë ai.
Sipas tij krijimi i kooperativa-ve ku njerëzit mund të sigurojnë ekzistencën është vetëm fillimi. “Duhet të bashkojmë parcelat e vogla dhe të mbështesim prodhuesit e mallrave”, ka thënë Krkobabiq duke shtuar se po ashtu duhet siguruar banimi, shëndetësia, shkolla, posta edhe gjërat tjera elementare.
Si shembull i zhdukjes së vendbanimeve ai përmendi hapësirën e rrethit të Pçinjit ku në tri fshatra nuk ka asnjë banor.
“Nëse iu ofrojmë zgjidhje edhe jetë normale mund të presim diçka ka thënë Krkobabiq duke shtuar se vdekja e fshatrave është çështje ku nuk duhet të ketë ndarje me opozitën”.
Kthimi i njerëzve varet nga kushtet, infrastruktura dhe një nga propozimet është krijimi i vendbanimeve në udhëkryqe të rrugëve.
“Për problemin e Kosovës zgjidhja do të ishte shumë e thjeshtë – që tash në atë hapësirë të kishim një milionë banorë tonë dhe të nacionaliteteve tona, nuk do të kishim këto problem” ka thënë ai.