Serbia ka pezulluar udhëtimin pa viza për iranianët, pak pasi është shënuar përvjetori i parë prej kur iranianëve u ishte ofruar kjo mundësi.
Duke cituar shqetësimet se banorët e Iranit janë duke shfrytëzuar këtë shtet si lokacion për të qëndruar përgjithmonë në Evropë, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për shfuqizim të këtij vendimi.
Më shumë se 15,000 iranianë kanë vizituar Serbinë prej kur u janë hequr vizat më 17 gusht të vitit të kaluar.
Mediat serbe kanë raportuar se fluturimet direkte Beograd-Teheran kanë qenë të mbushura me pasagjerë në ardhje, mirëpo në kthim drejt Iranit nuk ka pasur udhëtarë.
Organizatat për ndihmë të migrantëve kanë thënë se shumica e vizitorëve iranianë kanë kaluar në Evropën Perëndimore dhe kanë kërkuar azil.
Zyrtarët evropianë është raportuar se janë duke konsideruar anulimin e udhëtimit pa viza për qytetarët serbë në Bashkimin Evropian, nëse ky shtet nuk merr vendim për udhëtimin e iranianëve.
Beogradi, shtet i cili ka histori të lidhjeve të ngushta me Iranin, kishte vendosur të mundësonte udhëtim pa viza për iranianët me qëllim të rritjes së turizmit dhe qasjes në tregjet joevropiane.
Sipas të dhënave, deri më tani 1,100 iranianë kanë kërkuar azil në Serbi, kërkesë e cila u mundëson atyre të kenë qasje në qendrat e refugjatëve, ku mund të strehohen dhe ushqehen.
Aktualisht në Serbi janë të regjistruar rreth 4,000 migrantë nga Azia, Lindja e Mesme dhe vende tjera, ndonëse qindra persona të tjerë gjenden në kufirin e këtij vendi me Bosnjën apo Kroacinë.