Gjatë një vizite të cilën kryetari i listës “Srpska”, Sllavklo Simiq, ua ka bërë refugjatëve serbë në Mal të Zi, këta të fundit kanë kërkuar të kthehen në Kosovë, “ndoshta jo në Gjakovë, Deçan e Pejë, por në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Graçanicë”
Tani kur janë duke u zhvilluar me intensitet të shtuar punimet në ndërtimin e vendbanimit “Lugina e diellit”, serbët janë në kërkim të familjeve serbe që do të duhej të ktheheshin për të jetuar në këtë vendbanim, për të cilin Serbia investon mbi 5 milionë euro.
Në këtë vendbanim me 300 shtëpi, ku do të vendosen 1500 serbë, kryesisht refugjatë që jetojnë në Serbi, por njëkohësisht edhe serbët e ikur nga Kosova e të cilët jetojnë jo vetëm në Serbi, por edhe në Mal të Zi, refugjatët serbë në Mal të Zi kanë kërkuar që të jenë pjesë e këtij projekti, të cilin shqiptarët e kanë cilësuar kolonizues.
E për t’ua matur pulsin serbëve të zhvendosur në Mal të Zi, saktësisht në Podgoricë dhe në Sutumore, ata i ka vizituar kryetari i listës “Srpska”, Sllavko Simiq, dhe kryetari i Shoqatës për Refugjatë, Milenko Jovanoviq.
Sipas tyre, “në Mal të Zi aktualisht jetojnë rreth 11 mijë refugjatë nga Kosova.
Ata i kanë siguruar refugjatët serbë se për ta do të krijohen kushte për t’u kthyer për të jetuar në Kosovë, në pronat e tyre, por nëse nuk mund të krijohen kushte të sigurisë, atëherë për ta duhet të ndërtohen vendbanime në komunat me shumicë serbe”.