Serbia ka bërë një tjetër ndërhyrje politike në sport, kësaj radhe në sportin e xhudos, ku xhudistja nga Kosova Laura Fazliu ishte paraparë që të ndeshej me serben Anja Obradovic.
Të premten, ekipi serb i femrave në hendboll nuk u ndesh me Kosovën në ndeshjen e junioreve, dhe kësisoj Kosova e fitoi ndeshjen në tavolinë, shkruan Insporti.
Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në fund e fitoi ndeshjen me rezultat zyrtar, pasi ishte Qeveria e Serbisë ajo që mori vendimin që të ndalojë zhvillimin e ndeshjes, duke iu referuar çështjeve të sigurisë. Ndeshja është dashur të luhet në Qendrën Sportive “Kovilovo” në afërsi të Beogradit.
Kjo bëri që Federata Evropiane e Hendbollit (EHF), të marrë vendimin drastik ndaj Serbisë duke e përjashtuar nga turneu dhe grupi i kualifikueseve për Botërorin U20.
Rreth kësaj çështje kishte reaguar edhe presidenti serb Vuçiç, i cili ka deklaruar se “nuk mund të zhvillohet ndeshje mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos në territorin e Serbisë.”
Por, ndërhyrja e politikës së Serbisë në sport në raport me Kosovën nuk ndalon këtu. Pas ndeshjes së hendbollit që parashihej të zhvillohej të premten, një situatë e ngjashme ndodhi vetëm një ditë më vonë. Në kuadër të Kupës së Evropës për juniorë në xhudo, që po mbahet në Sarajevë, shorti kishte vënë përballë xhudisten serbe Anja Obradovic, me xhudisten kosovare Laura Fazliu.
Kjo përballje, e cila pritej të zhvillohej sot nuk u mbajt pasi sipas portalit serb Blicsport, Serbia vendosi të tërhiqej nga kjo garë, dhe kështu Fazliu mbeti në garë për të fituar medalje në turneun që po mbahet në kryeqytetin e Bosnjës e Hercegovinës.
Në këtë turne garojnë xhudistet nga Kosova, Laura Fazliu në kategorinë 63 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë 57 kilogramë, derisa të dy xhudistet aktualisht janë në rundin e tretë të kësaj gare.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë pasojat për Federatën e Xhudos së Serbisë, pasi Federata e Hendbollit ishte ndëshkuar pas vendimit të Qeverisë së Serbisë që dueli në mes të ekipeve juniore të femrave të mos zhvillohej.