Serbia thotë e ka zgjidhjen për Trepçën në arbitrazhin ndërkombëtar

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 15:39 | Nga

Autoriteteve serbe tashmë i janë ofruar ekspertë për arbitrazh ndërkombëtar, që duan të ndihmojnë për zgjidhjen e rastit “Trepça”, i cili tash disa ditë po “dridh” marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës, shkruan “Blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Kjo gazetë thekson se nuk dëshiron të zbulojë se për cilët ekspertë bëhet fjalë.

“Bëhet fjalë për ekspertë vendorë e të jashtëm. Ata ende nuk dëshirojnë t’iu përmendet emri, meqë nuk është marrë vendimi përfundimtar që të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar. Ata janë të interesuar të punojnë qoftë edhe pro bono, do të thotë pa pagesë, meqë konsiderojnë se rasti nuk ka gjasë të humbet. Do t’i ndihmonin edhe Serbisë, por do të ishte domethënëse edhe për reputacionin e tyre. Ky është motivi i tyre”, i ka thënë “Blicit” burimi i Qeverisë së Serbisë.

Kush janë aksionarët e Trepçës:

Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë (55,1 për qind të vlerës së kapitalit),

“Generaleksport” Beograd, (6,8%),
“Jugobanka Jug Banka” Mitrovicë (2,3%)
“Progres” Beograd (1,9)
Dunav banka a.d., Zveçan (1,9)
Elektroprivreda Srbije (1,6)
“14 Oktobar” Krushevac (0,14)
“Termoelektro” Beograd (0,07)
“Ratko Mitroviq” Pozhega (0,07)
“Dunav Osiguranje” Beograd (0,03)
“Porti Bar” (Tivari) Beograd (0,01)

Siç theksohet, një nga zgjidhjet për Trepçën që autoritetet e Prishtinës provojnë ta uzurpojnë do të mund të jetë pikërisht arbitrazhi ndërkombëtar, me kusht që shteti i Serbisë nuk do të shfaqej në të si palë, meqë kështu do të dukej sikur do ta njohë Kosovën si shtet;

“Por, aksionarët e Trepçës do të mund të hapnin kontestin, në rastin konkret Fondi për Zhvillim i Serbisë, i cili merr pjesë në vlerën e kapitalit 55 për qind. Fondi është njëri nga 11 aksionarët, nga të cilët gati të gjithë janë ndërmarrje serbe. Në këtë rast pëlqimi i Kosovës nuk është i nevojshëm”, thotë “Blic”, përcjellë Koha.net, t’i ketë thënë burimi, duke shtuar se ligji kosovar mbi investimet e jashtme parasheh arbitrazhin, që bën të mundur thirrjen në të në rast të fillimit të procedurës.

Përmenden disa variante arbitrazhesh – arbitrazhi tregtar nën mbikëqyrjen e KB-së, arbitrazhi investues nën përkujdesjen e Bankës Botërore ose arbitrazhi para Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, që mund të bëhet në cilindo shtet të BE-së që është anëtar i Konventës së Nju-Jorkut.

“Praktikisht, në ligjin e tyre është dhënë pëlqimi i Krahinës se një mundësi e tillë ekziston. Serbia në këtë rast do të mund t’ia jepte pëlqimin Fondit për Zhvillim, kështu që arbitrazhi në pikëpamje statusore do të ishte neutral meqë nuk është midis dy shteteve, por mes personit juridik dhe Kosovës”, citon “Blic” burimin.

Thelbi i padisë në fakt do të ishte cenimi i të drejtës pronësore përmes konfiskimit ose eksproprijimit jolegal.

Sipas “Blicit”, pushteti në Kosovë tashmë ka humbur një arbitrazh si ky. Bëhet fjalë për shtypshkronjën austriake e cila fituar kontestin juridik për shkak të vonesës së pagesës dhe të heqjes dorë para kohe nga kontrata për prodhimin e pasaportave biometrike, për çka palës austriake është detyruar t’ia paguajë rreth pesë milionë euro, por edhe shpenzimet gjyqësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme