Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë se Beogradi do t’i përgjigjet në mënyrë adekuate vendimit të Prishtinës që në Kuvendin e Kosovës të debatohet për kombinatin “Trepça”.
Ai ka shtuar se Prishtina me këmbëngulje po përpiqet të legalizojë, siç ka thënë, grabitjen e pasurisë serbe.
“Nëse Prishtina vazhdon me përpjekjet për të plaçkitur pasurinë serbe, atëherë do të kemi situatë të komplikuar, e cila, ndoshta, dialogun e mëtejmë për normalizim do ta bëjë të pakuptimtë”, citon Tanjug të ketë thënë sot Drecun.
Drecun ka thënë se problemi i “Trepçës” mund të zgjidhet vetëm në marrëveshje me Serbinë, sepse, sipas tij, Serbia është pronare legjitime e atij kompleksi minerar, ndërsa ka shtuar se shumica e pasurive minerare të këtij kompleksi gjendet në Serbi, transmeton koha.net.
“Se sa me papërgjegjësi Prishtina e udhëheq e pjesën e “Trepçës” në jug të Ibrit, tregon kërdia që mund të vërehet në kuadër të këtij kombinati”, ka thënë Drecun, duke shtuar se ajo po eviton bisedimet për pronën me Beogradin.