Rusia do t’ia dorëzojë Serbisë një sistem të sofistikuar anti-raketor ndonëse SHBA-ja ka paralajmëruar për sanksione kundër vendit ballkanik në rast të një blerjeje të tillë.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS ka thënë të mërkurën se sistemi “Pantsir-S” do t’i dorëzohet Serbisë “gjatë muajve në vijim në pajtim me kontratën e nënshkruar”, raporton agjencia e lajmeve AP.
Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka paralajmëruar Serbinë javën e kaluar se blerja e armatimit rus “paraqet rrezik” për sanksione amerikane.
“Shpresojmë se partnerët tanë serbë do të jenë të kujdesshëm për çdo transaksion të këtij lloji”, ka thënë Palmeri në një intervistë për televizionin Alsat M, transmeton Koha.net.
Serbia mbetet aleati kryesor i Rusisë ndonëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Beogradi është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainën lindore.
Rusia e ka ndihmuar Serbinë të forcojë ushtrinë e saj me aeroplanë luftarakë, me helikopterë sulmues dhe me tanke luftarake, duke ngritur shqetësime në rajonin e Ballkanit të shkatërruar nga luftërat. Gjatë ndarjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në të ’90-tat, Serbia ka qenë në luftë me fqinjët Kroacinë, Bosnjën dhe me Kosovën.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të martën në një intervistë televizive se Serbia po blen armë mbrojtëse nga Rusia dhe se dëshiron t’u shmanget çdo sanksioni amerikan “apo konfrontimi me Amerikën”.
“Serbia po armatoset sepse është vend i lirë i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s me të cilat dëshirojmë të jemi miq”, tha Vuçiqi, duke shtuar se nuk do ta lejojë Serbinë “të jetë aq e dobët sa ka qenë në të ’90-tat”.