Federata e Karatesë e Serbisë është pajtuar me pjesëmarrjen e karateistëve të Kosovës në Kampionatin Evropian, që do të mbahet në Novi-Sad prej 9 deri më 13 maj.
Kryetari i Federatës së Karatesë së Serbisë, Slavoljub Piper ka thënë se nuk është i preokupuar me pjesëmarrjen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër. Sipas tij, ai është i angazhuar rreth organizimit sa më të mirë të kësaj ngjarjeje, ka njoftuar të martën e përditshmja serbe “Danas”.
Kjo deklaratë e tij është krejt tjetër krahasuar me atë të autoriteteve serbe që pak javë më parë anuluan një turne kualifikues të hendbollit (U20 – femra), ku duhej të merrte pjesë edhe Kosova. Madje, një ndeshje u luajt në Beograd, por kur i erdhi radha Kosovës, ajo u anulua e më pas i gjithë turneu, transmeton Koha Ditore.
Për Federatën serbe të Karatesë, kjo do të jetë hera e dytë që do të organizojë një ngjarje të rëndësishme, pasi para tetë vjetësh kishte organizuar edhe kampionatin botëror dhe nuk dëshiron të dështojë.