BE – Serbisë: S’ka anëtarësim pa marrëveshje të obligueshme me Kosovën

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 15:38 | Nga

Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese  është vendimtare për rrugën e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

Kështu thotë dokumenti i përgatitur nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, në të cilin janë të përfshirë disa rekomandime për Serbinë, dhe ku qartë thuhet se duhet të përshpejtohen negociatat me Kosovën për normalizimin e raporteve.

Në këtë dokument të siguruar nga agjencia e lajmeve “Beta”, po ashtu mirëpritet edhe fillimi i punës në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, gjithmonë në pajtim me marrëveshjet e Brukselit, transmeton lajmi.net.

Po ashtu, Bashkimi Evropian ua bën të qartë të dy vendeve që pret nga Prishtina dhe Beogradi të kenë sjellje dhe veprime konstruktive në raport me marrëveshjet e arritura deri më tani.

Këshilli i Ministrave po ashtu i bën thirrje Serbisë, që të ndërmarrë hapa në drejtim të fuqizimit të ligjit, e sidomos në drejtim të pavarësimit të sistemit të drejtësisë nga politika.

Përveq këtyre rekomandimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së, në këtë dokument përfshihen edhe pika të tjera të cilat janë esenciale për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ndryshe,  se nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian pa arritjen e një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës e ka thënë edhe vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të së dielës në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, ku po ashtu shtoi se BE-ja nuk i mirëpret në familjen e saj vendet të cilat kanë konflikte të ngrira./Lajmi.net/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme