Milot Rashica, Vedat Muriqi e Bersant Celina kanë vazhduar të shkëlqejnë me skuadrat e tyre në Gjermani, Turqi e Angli, ndërkohë golat që kanë shënuar në fundjavë, i kanë dhënë më shumë ngjyrë e pozitivitet grumbullimit të Përfaqësueses së Kosovës, në prag të nisjes së fushatës së parë eliminatore për Evropian.
Ata, bashkë me Arbër Zenelin janë lojtarët më në formë te skuadrat e tyre, por edhe në përfaqësuesen e Kosovës. Janë në seri të mirë të golave dhe asistimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.
E nga kjo formë shpresohet të përfitojë edhe përfaqësuesja, që të hënën do të ketë grumbullimin e parë në prag të ndeshjes miqësore me Danimarkën dhe kualifikuese me Bullgarinë. Të dy ndeshjet luhen në Prishtinë, më 21 dhe 25 mars.
Grumbullimin e parë, përfaqësuesja e drejtuar nga Bernard Challandes, do ta mbajë të hënën (sot) në orën 18:00. Do të jetë stërvitje e lehtë sa për rigjenerim të lojtarëve pas ndeshjeve të fundjavës, ndërkohë me stërvitje më serioze do të niset prej të së martës (17:00) në stadiumin “Fadil Vokrri”. Në këtë stërvitje pritet të jenë të gjithë të ftuarit nga Challandes, përfshirë edhe Valon Berishën e Lazios, që po ka telashe me lëndime.