Serie A e Italisë ka rekomanduar që klubet të ulin pagat për lojtarët dhe trajnerët, për të reduktuar humbjet gjatë pandemisë së koronavirusit.
Pas një videokonference të jashtëzakonshme, liga italiane ka thënë të hënën se ndërprerja e garave ka lënë futbollin italian në një situatë shumë të vështirë dhe se reduktimi i pagave është nevojë urgjente.
Është propozuar që lojtarëve t’iu ndalet një e treta e të hyrave vjetore nëse Serie A nuk vazhdon dhe një e gjashta nëse kampionati vazhdon.
Por secili klub duhet të negociojë me lojtarëve për ndaljen e pagave.
Të gjitha klubet votuan për rekomandimin, pos Juventusit që abstenoj. Juventusi tashmë ka arritur marrëveshje me lojtarët dhe trajnerin për t’ua ndalë atyre katër paga mujore.
Serie A e Italisë është e pezulluar prej 9 marsit për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka goditur rëndë Italinë.
Nuk është e qartë se kur do të vazhdojë kampionati italian, apo nëse do të vazhdojë ai. Të dielën presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina ka thënë se edicioni që është dashur të kryhet në maj, mund të vazhdojë deri në shtator apo tetor.
Serie A ka thënë të hënën se reduktimi i të hyrave është i domosdoshëm për të siguruar të ardhmen e gjithë sistemit italian të futbollit.
“Ndërhyrja parashikon reduktim të një të tretës së pagës vjetore nëse kampionati nuk vazhdon dhe ulje prej një të gjashtës nëse ndeshjet e mbetura luhen në muajt e ardhshëm”, thuhet në komunikatë. “Klubet janë të gatshme të bëjnë pjesën e tyre, duke pranuar humbje të mëdha për të siguruar të ardhmen e futbollit italian”.
UEFA ka kërkuar nga federatat nacionale që të mundohen të kompletojnë edicionin, duke tërhequr vërejtjen se klubet mund të mbesin jashtë garave evropiane nëse anulohen kampionatet aktualisht të pezulluara.
“Asambleja ka konfirmuar se dëshiron të luajë sërish ndeshjet dhe të përfundojë edicionin, por pa rrezikuar pjesëmarrësit dhe vetëm pasi kjo të bëhet e mundur nga gjendja shëndetësore dhe vendimet e organeve përgjegjëse”, thuhet në komunikatën e Serie A.