Mungesa e kryetarit të trupit gjykues Shashivar Hoti, ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj ish-nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), njëherësh ish-deputetit në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani dhe të akuzuarve të tjerë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën ishte paraparë të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Naser Osmani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu Agron Kamberi, Adrian Kelmendi e Agim Deshishku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.
Seanca gjyqësore nuk është mbajtur, pasi që kryetari i trupit gjykues, ka një rast të vdekjes në familje, ndërsa palët janë informuar përmes sekretares juridike të gjyqtarit që seanca nuk do të mbahet.
Lajmin për dështimin e kësaj seance e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, sekretarja juridike Sadije Istogu.
Sipas Istogut, seanca e radhës nuk është caktuar dhe për seancën e radhës, që sipas saj do të caktohet së shpejti, palët do të ftohen përmes ftesave të rregullta.
Ndryshe, rasti kundër Naser Osmanit kishte filluar sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës, më 28 prill 2014. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 prill 2014, kishte marr aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse kjo prokurori, më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku, të gjithë zyrtarë në AKP.
Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi, Agron Kamberaj si kryesues të Njësisë së Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Wrsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro. Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”.
Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte blerë me çmim prej 2,310,000 euro nga blerësi, që më pas i akuzuari Agim Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësojë 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 prill 2016, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Admir Shala, të pandehurit Naser Osmani dhe Bahri Shabani, nuk u deklaruan lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit. Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 maj 2016, por i njëjti ishte shtyrë. Që nga 6 maji 2016, e deri në fund të shkurtit 2017, nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër lidhur me këtë rast.
Aktakuza në fjalë, nga kjo fazë, do të përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-prokurori special, Admir Shala, është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.