Servilizimi i Petkoviqit nuk ka kufi: Derisa e kemi Vuçiqin, beteja për Kosovën nuk do të ndalet

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e përvjetorit të 25-të të Marrëveshjes së Kumanovës ku është nënshkruar kapitullimi i Serbisë në Kosovë, drejtori i zyrës për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, me propagandën e tij të pa imagjinatë, përpiqet që kapitullimin ta “interpretojë” si marrëveshje për “mbrojtjen e serbëve dhe të Serbisë”, duke deklaruar se “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është dokument ligjërisht obligues “për mbrojtjen e popullit serb” në Kosovë, por edhe për “sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë”.

Një çerek shekulli më parë kanë përfunduar bombardimet e NATO-s mbi RFJ-në. Ndërprerjes së bombardimeve i parapriu miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Është ende një dokument ombrellë, ligjërisht i detyrueshëm për mbrojtjen e popullit serb në zonën e Kosovës dhe Metohisë, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë, përkundër të gjitha përpjekjeve të Prishtinës dhe Albin Kurtit të minimizohet rëndësia e kësaj marrëveshjeje duke shkelur çdo ditë të drejtën ndërkombëtare”, ka pretenduar Petkoviq, i cili është edhe kryenegociatori serb në dialogun me Kosovën, transmeton Paparaci.

Për të mbështetur këto deklarata të kota, Petkoviq akuzon edhe bashkësinë ndërkombëtare sepse po e ndihmon Kosovën.

“Sot jemi dëshmitarë se shumë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare shkelin haptas të drejtën ndërkombëtare publike dhe postulatet që përmban Rezoluta 1244, duke ndihmuar dhe armatosur haptas të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës, edhe pse të gjithë e dinë se formacionet e vetme të armatosur në territorin e Kosovës mund të jenë njësi të KFOR-it”, ka pretenduar ai.

“Mirëpo, derisa e kemi Aleksandar Vuçiqin, lufta jonë për Kosovën dhe Metohinë do të zhvillohet me intensitetin dhe vrullin e pashuar të argumenteve që na jep e drejta ndërkombëtare”, ka përfunduar Petkoviqi deklaratën për media.

Të ngjashme