Sfidat e Kosovës për tejkalimin e vakuumeve institucionale

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Janë bërë gati katër muaj prej se kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita që ai mbante dhe që nga 20 korriku, Kosova vazhdon të funksionojë me qeveri në detyrë.

Përkundër faktit që më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet parlamentare, procesi i numërimit dhe rinumërimit votave shtyu formimin e institucioneve të reja. Aktualisht, nuk ka një parashikim se kur do të mund të përmbyllet ky proces, në mënyrë që të vazhdohet me formimin e institucioneve të reja.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se vakuumet e vazhdueshme institucionale vijnë si pasojë e mungesës së stabilitetit politik që sipas tyre, është reflektuar vazhdimisht viteve të fundit.

Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike në Kosovë për Radio Evropa e Lirë thotë se pavarësisht se kryeministri i Kosovës dha dorëheqje, qeveria ka qenë aktive në marrjen e vendimeve, por të cilat, sipas saj, mund të rezultojnë të dëmshme.

“Faza e tranzicionit është e keqe edhe për shkak se nuk ka pasur shumë vëmendje edhe nga publiku edhe nga shoqëria civile duke u marrë kryesisht me rezultatet e zgjedhjeve dhe duke i dhënë prioritet procesit të zgjedhjeve si dhe fushatës zgjedhore. Do të thotë, qeveria ka pasur luksin e marrjes së vendimeve të cilat mund të jenë edhe të dëmshme dhe të cilat mund t’i marrim vesh vetëm pasi të kalojë ky mandat dhe fillojë punën qeveria e re”, tha Emini.

Ajo tha po ashtu se politikat që mbesin në gjysmë nga qeveritë paraprake, rrallëherë vazhdohen nga qeveria e re. Sipas saj, shpeshherë projektet e lëna në gjysmë apo edhe iniciativat e dikastereve të caktuara, pas formimit të qeverisë së re, nisin nga fillimi e që kërkojnë kohe dhe resurse.

Ndërkaq, analisti politik, Arton Demhasaj thotë se mungesa e një qeverie me kompetenca të plota krijon probleme të shumta për shkak se zbehet mekanizimi i llogaridhënies.

Demhasaj thotë se rasti i dorëheqjes së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, ilustron efektet negative që prodhohen nga vakuumi institucional, ku kjo agjenci, sipas tij, do të funksionojë tash pa drejtues deri në formimin e qeverisë së re.

“Rasti i AKI-së pra është rasti më i ri me të cilin po provohet Kosova. Tash çfarë duhet të ndodh në një situatë të tillë? Kryeministri në dorëheqje, nuk është mirë që së bashku me presidentin të fillojnë procedurën e emërimit të drejtorit të ri të AKI-së. Në anën tjetër të funksionojë Kosova me një Agjenci të Inteligjencës e cila nuk e ka një drejtor, pra, atëherë kjo është problem. Tash ne e dimë sa problemet mund të shfaqen në këtë institucion në mungesë të drejtorit dhe të dikujt që ushtron kompetencat e tij”, tha Demhasaj.

Rëniet e shpeshta të qeverisë dhe kundërshtimet e brendshme se kush do të udhëheqë proceset politike ndërkombëtare dhe dialogun me Serbinë, sipas Donika Eminit, kanë ndikuar në shpërfaqjen e një joserioziteti të Kosovës, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

“Duke pasur zgjedhje çdo dy vjet, duke pasur problem se kush na përfaqëson në dialog se kush duhet me qenë në emër të Kosovës në Bruksel, krejt kjo ka ndikuar që Kosova të konsiderohet si pala e cila, së pari, nuk di të menaxhojë një proces të tillë dhe së dyti, palë destruktive në raport me Serbinë”, tha Emini.

Emini thotë se Kosova u tërhoq nga kërkesa për anëtarësim në Interpol, për shkak të mungesës së qeverisë dhe prioriteteve të qarta qeveritare, ndërkohë që beson se çdo vazhdim i vakuumit institucional mund të ndikojë në humbjen e mundësive rajonale dhe ndërkombëtare nga të cilat do të mund të përfitonte Kosova.

Të ngjashme