Historia e një grua e cila është dhunuar gjatë luftës u inskenua sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Mina e cila jetonte dhe punonte në Londër do të gjendej para një situatë kur Agroni i cili dinte për dhunimin e saj gjatë luftës do të refuzonte të pranonte që vajza e tij të ishte në lidhje me djalin e një gruaje të dhunuar, raporton Ekonomia Online.
Takimi me familjen e të dashurës së djalit ishte një ndër arsyet pse Mina 18 vite pas luftës ka vendosur të kthehet në Kosovë, duke thyer kështu akullin që të ballafaqohet përsëri me gjykimet e shoqërisë kosovare për një ngjarje që ka ndodhur pa dëshirën e saj.
Pas performancës edhe audienca pati mendësi që të përfshihej në debat duke bërë pyetje dhe komente për personazhet.
Realizimi kësaj performance për realizatorët dhe aktorët ishte sfidë. Regjisori i kësaj shfaqje Lulzim Bucolli, tha se ka qenë mjaft e vështirë që shfaqja të merrte formën që ka marrë.
Jeta Berisha nga qendra “Artpolis” njëherësh edhe organizatorja e këtij projekti tha se përkundër fakti që janë përballur me vështirësi të shumta, komentet nga audienca kanë bërë të kuptojnë se një shfaqje e tillë mund të ndikojë në mendësinë e shoqërisë për trajtimin e viktimave të kësaj dhune.
E veçantë dhe mjaft e vështirë për tu luajtur ka qenë edhe për aktorët Kushtrim Qerimi dhe Anisa Ismajli.
Ismajli që në shfaqje luante rolin e një gruaje të dhunuar gjatë luftës tha se para realizimit të kësaj shfaqje është takuar me viktimat e dhunës seksuale dhe se përmes kësaj shfaqje po mundohen që të përçojnë një mesazh tek audienca dhe sipas saj, kjo gjë edhe është duke u arritur.
Pwr Kushtrim Qerimin ishte e e vështirë të luash një rol me të cilin nuk ke mendim të njëjtë. Ai tha se ka qenë i befasuar nga pritjet e audiencës, raporton EO.
Kjo performancë u realizua në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive”, financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ky forum teatër deri më tani është shfaqur në gjashtë komuna dhe se gjatë vitit 2018 do të ketë edhe 6 repriza të tjera.