Fermerët janë pjesë kyçe e ekonomisë, por shpesh kanë hasur në vështirësi për të pasur qasje në financa të cilat u nevojiten për të zgjeruar bizneset e tyre.
IFC anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Agjencia për Financim (AFK) po punojnë së bashku për të nxitur kreditimin e fermerëve në Kosovë si pjesë e një përpjekje për të mbështetur zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
“Duke përdorur përvojën dhe ekspertizën e IFC-së në financimin e bujqësisë, shpresojmë të zhbllokojmë potencialin e investimeve në sektorin e bujqësisë si pikë kritike për shtytjen e rritjes ekonomike në Kosovë”, tha Vahdet Anadolli, drejtor ekzekutiv i AFK-së.
“Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë kreditimin tonë të bujqësisë për t’i ndihmuar klientët tanë duke ofruar kapital punues të duhur dhe qasje në financimin për fermerët dhe palë të tjera përgjatë zinxhirëve të qëndrueshëm”, theksoi Anadolli.
Leah Soroka, menaxhere e programit të IFC-së për financimi të bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, theksoi se bujqësia është një punëdhënës kryesor në mbarë botën, në veçanti në pjesët rurale të vendeve në zhvillim.
“Por një sfidë kryesore për shumicën e fermerëve është qasja në financa. IFC mbështet institucionet financiare si ndërmjetës, duke i lejuar ato të arrijnë tek një numër në rritje të fermerëve të vegjël, duke mbështetur risitë në sektor dhe duke nxitur krijimin e vendeve të punës”, theksoi ajo.
Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. IFC-ja ka investuar 391 milionë dollarë në vend përmes pesë projekteve në sektorë të ndryshëm. Po ashtu IFC-ja ka mbështetur rrjedhjet tregtare në shumën prej 4.8 milionë dollarë përmes programit të saj të financimit të tregtisë.
Shërbimet këshilluese të IFC-së në Kosovë synojnë të përmirësojnë klimën e investimeve dhe performancën e kompanive të sektorit privat dhe tërheqin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës.