Fjorda Shabani të martën doli e fundit në disiplinën 100 metra krol në kampionatin evropian që po mbahet në Glasgow të Skocisë.
Por me kohën prej një minute, dy sekonda e 74 të qindtat, ajo theu rekordin e Kosovës.
Rekordi i vjetër i Kosovës ishte një minutë, dy sekonda dhe 85 të qindtat.
Në këtë disiplinë është dashur të paraqitet edhe Eda Zeqiri. Por ajo nuk ka startuar fare.
Ditë më parë ishin thyer edhe disa rekorde të Kosovës, në disiplina të ndryshme, ndonëse gati të gjithë pjesëmarrësit nga Kosova përfunduan të fundit në garat ku morën pjesë.
“Nesër (e mërkure v.j.) do të paraqiten prapë Fjorda Shabani në 200 metra shpinë, Dren Ukimeraj në 50 metra krol dhe Dion Kadriu në 100 metra delfin, që janë dhe paraqitjet e fundit për këtë kampionat. Urojmë që të kemi rekorde të reja edhe ditën e mërkurë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Notit të Kosovës (FNK) të martën.