Meritan Shabani të shtunën realizoi ëndrrën e tij, duke debutuar me skuadrën e parë të Bayern Muenchenit. Shabani, 19-vjeçar, ishte njëri prej tre tinejxherëve të cilëve iu ofrua mundësia të debutojnë me Bayernin në ndeshjen ndaj Eintracht Frankfurtit në Bundesligë.
Shabani ishte titullar dhe luajti 56 minuta në ndeshjen e xhiros së 32-të të Bundesligës gjermane, që Bayerni e fitoi në shtëpi ndaj Frankfurtit (4:1), shkruan sot “Koha Ditore”. Ai u zëvendësua më pas me Thiago Alcantaran.
“Të luaj me skuadrën e parë është e veçantë për mua, diçka për të cilën kam ëndërruar si fëmijë. Të jem në gjendje të luaj në të njëjtën fushë me këta yj të klasës botërore më bën jashtëzakonisht krenar dhe më shton dëshirën që të vazhdoj të përmirësohem”, ka deklaruar Shabani për “Bundesliga.de”.
Trajneri Jupp Heynckes vendosi të aktivizojë një skuadër me lojtar të rinj, në mënyrë që t’i pushojë yjet para ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që Bayerni e luan në udhëtim ndaj Realit.