Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe rrjeti i marketeve “Viva Fresh Store” kanë organizuar “Javën e Prodhimeve Vendore 2020”, për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se kjo traditë po vazhdon që qytetarët ta festojnë festën e 17 Shkurtit me prodhime vendëse.
Shahini potencoi se paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës do të jetë “vetëvrasje” për bizneset dhe konsumatorët.
“AKB-ja bashkë me Viva Fresh po vazhdon traditën për të përdorur prodhimet vendore. Me prodhime vendore ta festojmë 17 Shkurtin. Vendi jonë ka nevojë për prodhues dhe konsumatorë të rinj. Kosova ka marr një fuqi të madhe ekonomike për prodhues me taksën 100%”.
“Heqja e taksës do të jetë një goditje për konsumatorët. Askush nuk mund të ndal integrimin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria e re duhet të krijojë hapësirë për bizneset dhe investimet e huaja”.
“Nëse hiqet taksa do të goditën shumë kompani dhe do të rrezikohen shumë punëtor të cilët janë punësuar. Do të jetë vetëvrasje për prodhuesit vendor dhe gjithë neve”, u shpreh Shahini.
Mes tjerash, ai premtoi mbështetje të vazhdueshme për prodhuesit vendës. Andaj tha ai Qeveria duhet t’i plotësoj premtimet e mos të lejoj ikjen e të rinjve.
“AKB-ja do të jetë gjithmonë me prodhuesit, konsumatorët dhe do të mburremi me rininë tonë. Qeveria duhet t’i plotësoj premtimet e veta, nëse i plotësojnë do të kemi një të ardhme të mirë. Të rinjtë nuk do të dalin jashtë vendit por do ta gjejnë vetën këtu”, tha ai.
Përfaqësuesi i “Viva Fresh”, Liridon Berisha kërkoi që qytetarët të përdorin sa më shumë prodhimet vendëse.
“Është vitit i tretë që me AKB-në organizojmë javën e prodhimeve vendore. Me rastin e Pavarësisë ju urojë të gjithëve festën dhe kërkoj që të përdorni prodhimeve vendore”, ka thënë ai.
“Java e Prodhimeve Vendore” 2020 do të mbahet deri me 20 shkurt.