Drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, nga sot zyrtarisht do të fillojë punën në këtë agjenci, duke zëvendësuar drejtorin e deritanishëm Hasan Pretenin.
Siç thuhet në njoftimin e AKK, drejtori i ri i kësaj agjencie falënderon ish-drejtorin Hasan Preteni për kontributin e dhënë që nga themelimi i AKK-së, fuqizimin e kapaciteteve si dhe në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në kuadër të mandatit të AKK-së.
“Shaip Havolli do të vazhdojë me përkushtim punën në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në kuadër të mandatit të AKK-së,e po ashtu do ta fuqizojë bashkëpunimin me prokurorinë e shtetit, gjykatat, policinë, mekanizmat tjerë vendor dhe ndërkombëtarë, mediat dhe shoqërinë civile”, thuhet në njoftim.
Shaip Havolli është zgjedhur kryetar i AKK-së me mandat 5 vjeçar më 16 qershor në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Havolli para se të zgjidhej drejtor i AKK-së, ka qenë shef i hetimeve të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.