Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Re të KEK-ut. Në takim u diskutua për shqetësimet e punëtorëve dhe banorëve të Obiliqit në lidhje me zgjerimin e mihjeve të KEK-ut dhe procesin e zhvendosjes së banorëve në këtë zonë.
Ministri Shala, njoftoi përfaqësuesit e sindikatave me angazhimet e MMPH-së në këtë drejtim duke përmendur faktin se Plani i Veprimit për Zhvendosje ka ardhur në Ministri, dhe me datë 27 prill ekipi profesional ka dhënë komentet e tij për përmbajtjen e planit. Tani KEK duhet të implementoi komentet e ministrisë dhe të diskutoj me banorët para se planin ta dërgoj për miratim në MMPH.
Plani i Veprimit për Zhvendosje është një dokument që buron nga Korniza e Politikave të Zhvendosjes, e cila është konsideruar si një instrument me i avancuar për rastet e zhvendosjes së banorëve, e cila pos kompensimit material, merr parasysh edhe aspektet sociale dhe mjedisore me rastin e zhvendosjes.
Ministri Shala shprehu gatishmërinë e tij për të kryer sa më shpejt të gjitha veprimet e nevojshme që banorët të zhvendosen sa më parë.
Në qoftë se kjo nuk realizohet, pra zhvendosja e banorëve nuk realizohet duke u bazuar në kornizën e Politikave të Zhvendosjes, Ministria do të veproj sipas Ligjit për shpronësim, sapo të marr një kërkesë nga KEK.