Shala: Disa të kthyer nga Siria të falen dhe të rehabilitohen

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 14:02 | Nga

Në organizim të Qendrës së Gjenevës për kontroll të forcave të armatosura (DCAF) në Prishtinë po mbahet tryeza e rrumbullakët për rolin e Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në mbikëqyrjen e masave të zbatuara për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Kryesuesi me Këshillin për mbikëqyrje inteligjente në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Shala, tha se terrorizmi nuk prek vetëm një shtet, por se është një fenomen i përhapur kudo në botë. Sipas tij, në Kosovë përveç ligjit për mos-shkuarje në fushëbetejat e huaja, nevojitet një ligj i cili do të ndalojë fushatat për shkuarje në luftërat e huaja.

“Rinia e Kosovës është e ndikuar nga një shumëllojshmëri të grupeve dhe ne duhet të bëjmë më shumë punë me të rinjtë. Gjatë hulumtimit, pse këta të rinj kanë rënë nën ndikim të grupeve të ndryshme, ka çuar në faktin se disa prej tyre duhet të falen dhe të rehabilitohen dhe se nuk duhet ndëshkuar me burg këtë pjesë të shoqërisë”, tha Shala.

Në takim po marrin pjesë përfaqësues të Parlamenteve të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Sllovenisë, përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe sektorit të sigurisë si dhe ekspertë të shumtë nga rajoni dhe Evropa.

Kryesuesi më Këshillin për Siguri dhe Punë të Brendshme në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se shteti ka miratuar një ligj të veçantë për të luftuar këto fenomene.

“Ne në Kosovë kemi përfunduar paketën legjislative për të parandaluar pjesëmarrjen në fushëbetejat e huaja. Dhe, në shumë vende në rajon kanë përfunduar Kodet Penale duke shtuar nene të veçanta në ligj, por ne në Kosovë kemi konsideruar me të arsyeshme që t’ua lehtësojmë punën organeve të sigurisë dhe shërbimit inteligjent që përmes ligjit të veçantë të parandalojmë dhe penalizojmë këto forma”, tha Haradinaj.

Ante Fric, në cilësinë e zëvendëses së operacionit për Evropën juglindore tha se qeveria e Kosovës ka përpiluar strategjinë kombëtare për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit i cili çon në terrorizëm dhe se në drejtim të kësaj duhet shikuar edhe aspektin politik dhe ekonomik.

Është shumë e rëndësishme që parlamentet të sigurojnë që shërbimet e sigurisë të kenë aftësinë për të luajtur një rol efektiv në luftën kundër terrorizmit dhe në të njëjtën kohë të jetë në dijeni të shkeljeve që mund tu bëhen lirive dhe të drejtave demokratike.

“Parlamentarët kanë të drejtë dhe obligim të ngre zërin për shqetësimet e tyre që kanë”, tha ajo.

Pjesëmarrësit e tryezës rajonale në pjesën e mbyllur për mediat gjatë ditë do të diskutojnë rreth radikalizmit në Ballkanin Perëndimor, de-radikalizmitn dhe riintegrimi, rolin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe agjencive të inteligjencës në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme