Shefi i Grupit Parlamentar, Nisma-AKR, Endrit Shala në interpelancën për kryeministrin Avdullah Hoti ka thënë se me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington është afatizuar çështja e mos anëtarësimit të Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare.
Shala tha se edhe Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në pushtet e kishte ndaluar aplikimin në Interpol me arsyetimin se nuk ka përkrahje, ndërsa theksoi se të njëjtën po e bën edhe Qeveria aktuale, por më një afat të caktuar prej një viti.
“Le të jemi të sinqertë së pari të gjithë me veten edhe kërkuesit e kësaj interpelancë, nga partia LVV sa ishin në Qeveri, hoqën dorë nga aplikimi, me arsyetimin se nuk ka mbështetje për tu anëtarësuar, dhe duhet shtyrë deri atëherë kur mund të sigurohet mbështetja. As më shumë e as më pak nuk ka bërë Qeveria aktuale sesa Lëvizja Vetëvendosje sa ishin në krye të Qeverisë, madje, mund të themi se përmes kësaj marrëveshje kjo çështje është afatizuar vetëm për një vit”, tha Shala.
Shala tha se Nisma marrëveshjen në Uashington e sheh si një mundësi të mirë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Serbisë.
“Ne si Nismë mendojmë që kjo pikë për të cilën është ftuar interpelanca nuk duhet të shihet apo trajtohet si e veçantë, por në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit. Të gjithë e dimë që prej dështimit për anëtarësimit të Kosovës në UNESCO në vitin 2015, dhe në Interpol në vitin 2018, edhe pse nuk kemi pasur vendim, për të mos aplikuar, institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë aplikuar për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Ky moratorium, nuk do të thotë që duhet të ndalojmë të lobojmë për përkrahje për tu njohur si shtet nga shtetet ku mund të arrijmë dhe të sigurojmë këtë njohje”, tha Shala në Kuvendin e Kosovës.
“Këtë më së miri e dëshmon fakti që menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, në prani edhe të Presidentit Trump, siguroi edhe njohjen nga Izraeli. Çështja e mos-aplikimit nëpër organizata ndërkombëtare dallon nga çështja e njohjes së shtetit tonë nga shtetet tjera. Marrëveshja e Uashingtonit ka hapur perspektivë dhe rrugë për njohje. Përmes marrëveshjes së Uashingtonit kemi arritur të thyejmë bllokimin disa vjeçar në rrafshin e njohjeve nga shtetet tjera.