Eksperti i sigurisë Drizan Shala ka vlerësuar se Forcat e Armatosura të Shqipërisë po konsolidohen si një komponent thelbësor në arkitekturën e re të sigurisë së NATO-s, duke theksuar rolin e lidershipit ushtarak, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe kontributin në stabilitetin rajonal dhe euroatlantik.
Në një shkrim të tij pas mbledhjes së Komitetit Ushtarak të Shefave të Shtabeve të NATO-s në selinë e Aleancës, Shala thekson se mbrojtja kolektive nuk mbështetet më vetëm në kapacitete statike, por në aftësinë për reagim të shpejtë dhe komandë efektive.
“Komiteti Ushtarak i Shefave të Shtabeve të NATO-s u mblodh në Selinë e Aleancës dhe konfirmoi se mbrojtja kolektive sot nuk lidhet më vetëm me kapacitete statike. Ajo lidhet me lidership ushtarak efektiv, gatishmëri reale operacionale dhe aftësi për të vepruar me shpejtësi në një mjedis sigurie të fragmentuar dhe të paqëndrueshëm”, ka shkruar ai.
Ai shton se diskutimet janë përqendruar në forcimin e kapaciteteve dhe përballjen me kërcënime të reja, duke nënvizuar rolin në rritje të ushtrisë shqiptare brenda Aleancës.
“Diskutimet u fokusuan në përmirësimin e fuqisë luftarake, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përshtatjen strategjike ndaj kërcënimeve hibride, teknologjike dhe konvencionale. Në këtë kontekst, Forcat e Armatosura të Shqipërisë po perceptohen gjithnjë e më shumë si një burim ushtarak i besueshëm dhe i qëndrueshëm për NATO-n. Lidershipi i tyre ushtarak profesional përmbush standardet më të larta të Aleancës dhe është i aftë të shndërrojë vizionin strategjik në kapacitete reale operacionale”, ka shkruar ai.
Sipas Shalës, progresi i ushtrisë shqiptare lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e drejtimit dhe investimet strategjike të bëra vitet e fundit.
“Lidershipi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka dëshmuar vendimmarrje të vendosur, planifikim afatgjatë dhe disiplinë të fortë institucionale, duke garantuar përputhje të plotë midis politikës së mbrojtjes dhe zbatimit operacional. Rritja e gatishmërisë operacionale, investimet e synuara në modernizim, zhvillimi i doktrinës dhe i personelit, si dhe pjesëmarrja aktive në misione të NATO-s dhe stërvitje të përbashkëta, dëshmojnë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk janë më thjesht një komponent periferik. Ato janë një kontribuues thelbësor në sigurinë euroatlantike. Ky progres buron nga një lidership ushtarak që e kupton se mjedisi i sotëm i sigurisë kërkon parashikim, fleksibilitet dhe komandë të fortë”, ka thënë ai.
Në fund, Shala thekson se ky rol në rritje i Shqipërisë përforcon edhe stabilitetin në rajon.
“Në një mjedis ku uniteti i Aleancës është vendimtar për parandalimin strategjik, roli i Forcave të Armatosura të Shqipërisë forcon jo vetëm sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Mesazhi që vjen nga NATO HQ është i qartë: lidershipi ushtarak i përgjegjshëm dhe i orientuar drejt veprimit garanton besueshmërinë e Aleancës. Në këtë frymë, Forcat e Armatosura të Shqipërisë po konsolidohen si një shtyllë e qëndrueshme dhe e respektuar e NATO-s”, ka shkruar ai.