Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Bordit të ZRrE-së, teksa e ka akuzuar për implikim politik dhe lejim të importit e eksportit të energjisë në kohë krize të kompanive pa licencë.
Shala këto deklarime i ka bërë në Kuvendin e Kosovës, në seancën ku po shqyrtohet rezoluta e LDK-së për shkarkimin e bordit të rregullatorit energjetik.
“Kërkesa për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së është e ligjshme dhe e moralshme. Ka pasur një vonesë të tejdukshme të bordit të ZRRE-së në faza parandalimi. Veprimet politike janë të tejdukshme, që bijnë ndesh. Fushata e rrejshme për gjendjen e sektorit energjetik, shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave, manipulimi me fakte, pasurimi i vetëm importeve dhe fshehja e sasisë së eksporteve, raporti politik pa u konsultuar me instancat parlamentare, ndarja dhe segregacioni ekstrem mes qytetarësh, ndarja dhe pabarazia veri-jug, marrja e vendimit final për ngritje të tarifave në dëm të qytetarëve, lirimi i pa asnjë arsye i një kategorie tjetër për pagesën e tarifave, mos-zbatimi i asnjë rekomandimi nga Task Forca në krizën energjetike; pasoja e krejt këtyre vendimeve ka pasur një kosto të madhe”, ka deklaruar ai.
“ZRRE ka vazhduar edhe më tutje. Bordi i ZRRE-së ka treguar dhe është tepër jo-funksional edhe për shkak që të gjithë fazës së krizës energjetike ka lejuar operimin, eksportin dhe importin të kompanive pa licensë. Kjo do të mjaftonte që ky bord të tërhiqej, e le më ne të jepnim arsye pse duhet shkarkuar”, ka thënë ndër të tjera ai.
Komisioni per Industri, Ndermarresi dhe Tregeti nuk ka mbështetur rekomandimin e LDK-së për shkarkim të këtij bordi.