Blerim Shala, këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, konsideron se vrasja e Oliver Ivanoviqit është pasojë e mosekzistimit të sundimit të pushtetit në veri të Kosovës dhe e moszbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.
Në një intervistë për emisionin “Slobodno Sërpski”, Shala ka thënë se “vrasja e Ivanoviqit është kryer me qëllim që në veri të ruhet njëfarë status-quo-je, që të mos ketë kurrfarë përparimi”.
“Mendoj se vrasja e Oliverit, pavarësisht se kush e ka porositur dhe kush e ka kryer, është bërë që të ruhet njëfarë status-quo-je që të mos ketë kurrfarë përparimi, por mendoj se e ka arritur pikërisht të kundërtën, si askush deri tani. Mendoj, apo besoj, apo dua të besoj, se Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë deri te përfundimi i përbashkët se situata në veri nuk mund të tolerohet më, sepse megjithatë bëhet fjalë për qytetarë të rëndomtë të veriut të Kosovës, më së shumti për serbët që jetojnë atje dhe që janë të frikuar. Jetojmë në vitin 2018 dhe pas të gjitha atyre që kanë ndodhur në Kosovë kemi situatë në të cilën shumica e qytetarëve që jetojnë në Kosovë frikohen dhe këtë absolutisht s’duhet ta tolerojmë”, ka thënë Shala.
Sipas tij, “po të kishim implementuar një punë si duhet, s’do të kishim makinë pa targa atë 16 janar në Mitrovicë, sepse me gjasë ajo makinë është përdorur për të kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit”. Në anën tjetër marrëveshja për jurisprudencën është nënshkruar që në vitin 2015, ndërsa vetëm shtatorin e kaluar nisi implementimi i saj.
“Vakumi nuk tolerohet në drejtësi dhe siguri. Kur keni vakum, e s’keni kush e drejton gjyqësinë, kur s’keni kush t’i kontrollojë targat e makinave, kur keni polici e cila nisi të funksionojë jo para vitit 2014, atëherë keni një klimë të mosbesimit, keni klimë që mund të keqpërdoret. Dihet se kemi pasur vrasje edhe para vrasjes së Oliver Ivanoviqit, mendoj se qe një qërim hesapesh mes kriminelëve që kishin ardhur nga Serbia dhe madje një kohë jetonin në Mitrovicë të veriut. Pra, Mitrovica e veriut u bë njëfarë vendstrehimi për krimin”, mendon Shala, përcjell Expressi.
Ai thekson se ndodhitë pas vrasjes së Ivanoviqit e kanë hedhur poshtë variantin se bëhet fjalë për ndonjë konflikt ndëretnik, transmeton Express.
“Situata në veri pas vrasjes nuk dha asnjë shenjë se ekziston dyshim se bëhet fjalë për ndonjë vrasje me motive nacionale, s’pati barrikada, s’pati tendosje të reja në veri”.
Shala e ka përmendur, si “një mesazh të qartë nga perëndimi”, edhe deklaratën e paradokohshme të shefit të diplomacisë gjermane Sigmar Gabriel, i cili tha se “në veri të Kosovës ekziston kriminalitet masiv i organizuar, me njerëz të fuqishëm që nuk hezitojnë as të vrasin dhe se këtë bashkësia ndërkombëtare s’guxon ta tolerojë”.
Lideri i Iniciativës Qytetare “Serbi, Demokraci, Drejtësi” (SDP) Oliver Ivanoviq u vra para zyrës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës mëngjesin e 16 janarit.