Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, pritjet ishin që BE-ja të heq masat ndaj Kosovës dhe të sanksionojë Serbinë, por as pas një muaji nga ky sulm, masat ndaj Kosovës nuk u hoqën.
Deputeti i LVV-së, Agon Batusha, thotë se kjo çështje mund të shtrohet nesër në Bruksel, në takimet e kryeministri Kurti me liderët evropianë.
“Si përfaqësues të Republikës dhe institucioneve të shtetit vazhdojmë të kërkojmë në mënyrë të argumentuar që masat ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe sanksionet ndaj Serbisë të vendosen. Nëse nuk merren masa konkrete ndaj shtetit agresor dhe destabilizues, pra Serbisë, edhe vet dialogu e humb kuptimin sepse nuk sigurohet barazia, mbi të gjitha vetë vlerat dhe parimet e BE-së vihen në pikëpyetje nga vetë përfaqësuesit e BE-së”, tha Batusha.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, Ferat Shala thotë se aktualisht Kosova nuk është në pozitë që ta kushtëzojë dialogun.
”Dami është jashtëzakonisht i madh më shumë se 300 milionë euro janë të bllokuara si rezultat i këtyre masave”.
“Ndërkohë që Sulmin në Banjskë qeveria do të mund ta shfrytëzonte shumë më mirë por që e keqpërdori për marketing të brendshëm dhe në ketë rast dialogu nuk mund të shfrytëzohet por duhet të argumentohet me veprime strategjike, dokumente të shkruara gjithnjë konfrom kushtetutës”, deklaroi Shala.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Gurakuç Kuçi, vlerëson se qeveria e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar si duhet situatën e krijuar pas sulmit në veri, që Kosovës ti hiqen masat e BE-së .
“Masat e BE-së, do të largohen në bazë të avancimit të dialogut me Serbinë së fundmi kemi pasë një kërkesë për asociacionin, pra këto masa do të vazhdojnë edhe për një kohë deri në avancim të dialogut apo zbatim të marrëveshjeve ndërsa sulmin në Banjskë qeveria nuk diti ta materializoj dhe nuk diti që ta shfrytëzoj”, tha Kuçi.
Emisari evropian për dialogun Miroslav Lajçak e tha qartë në vizitën e fundit në Kosovë bashkë me diplomatët e tjerë, se sulmi në veri nuk mund të ndryshojë rrjedhën e dialogut.