Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka takuar përfaqësuesit e zyrës së UNDP në Kosovë, Valbona Bogujevci, koordinatore e Programeve dhe Shkipe Deda – Gjurgjiali, analiste e Programeve për Mjedis dhe Energji.
Gjatë takimit kanë diskutuar për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve në implementimin e projekteve mjedisore nga donatorët në Kosovë.
“Me theks të veçantë biseduam për bashkëpunimin në përgatitjen e propozim projekteve për përfitimin e fondeve nga UNEP (Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedis) në kuadër të GEF (Global Environment Facility – Fondi Global për Mjedis) dhe nga Programi i Kombeve të Bashkuara NAMA (Nationally Appropriate Mitigation Actions – Veprimet e Duhura Zbutëse në Nivel Kombëtar)”, ka shkruar Shala në rrjetin social Facebook.
“Falënderova UNDP-në për mbështetjen dhe bashkëpunimin me MMPH-në dhe u zotuam që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të koordinimit të aktiviteteve për implementimin e projekteve dhe aplikimin për projekte nga fondet e Programeve të Kombeve të Bashkuara në sektorin e mjedisit”.