Agim Shala, pjesëtar i familjes nga e cila vdiqën 3 anëtarë në aksidentin që ndodhi në Mramor të Prishtinës, ka përsëritur edhe njëherë thirrjen për drejtësi për këtë rast.
Ai ka bërë apel në drejtim të krerëve të shtetit, Policisë së Kosovës dhe ekspertëve të komunikacionit që të zbulojnë të vërtetën e kësaj vdekje, ku mbetën të vdekur gjithsej katër persona.
“Jo të mbulohet e vërteta për arsye se në këtë aksident u përfshi edhe ambasadorja turke… jeta për të gjithë është e çmueshme njësoj”, ka thënë ai.
Shala ka bërë thirrje edhe për kujdes të shtuar në komunikacion, duke uruar që askujt të mos i ndodhë kjo që i ka ndodhur familjes së tij.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën e Shalës:
Të dashur miq, shokë e dashamirë, institucione të Kosovës, ju media
Në emrin tim e të familjes, ju falënderoj për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të më të dashurve tanë!
Unë sot mbeta pa vëllanë e vogël, pa babanë dhe pa gjyshen, shkaku i shpejtësisë dhe pakujdesisë në komunikacion.
U bëj apel presidentit, kryeministrit, Policisë së Kosovës, ekspertëve të komunikacionit që të dimë kush është fajtori i kësaj vdekjeje të katërfishtë.
Jo të mbulohet e vërteta për arsye se në këtë aksident u përfshi edhe ambasadorja turke… jeta për të gjithë është e çmueshme njësoj.
Kam informata nga kalimtarët e rastit se në momentet kritike, policia e Kosovës nuk ka reaguar me ofrimin e ndihmës menjëherë për familjarët e mi, të cilët kanë qenë me lëndime të rënda vdekjeprurëse, por janë orientuar te ambasadorja turke.
Unë nuk humba vetëm një anëtar të familjes, unë humba tre, pothuajse gjysmën e familjes.
Dhembja neve do të na shoqërojë tërë jetën, asnjëherë nuk do gjejmë qetësi, uroj që të mos i ndodhë askujt kjo që na ka ndodhë neve…
U bëj apel të gjithëve që të ngadalësojnë shpejtësinë në komunikacion e mos të humbin jetët e të dashurve të tyre.
Do t’ju kujtojmë me mall e me lot në sy më të dashurit e tanë, vëllai im, që shkove në kohen më të mirë, baba dhe gjyshe!
U prehshi në paqe në parajsë të dashurit e tanë!