Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala ka thënë se në Kosovë, kurrë nuk do të ketë drejtësi të plotë, përderisa nuk e rritet efikasiteti në zgjidhjen e lendeve civile.
Sipas tij, zgjidhja e lëndëve në kontestet civile, po zgjatë më vite dhe se qytetarët janë lodhur nga kjo pritje.
Shala ftoj Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që t’i shtoj përpjekjet për të gjetur zgjidhje, për mijëra lëndë të pa kryera të këtij lloji, dhe propozoj që viti 2020, të jetë vit i drejtësisë civile.
Këto komente, numri një i Gjykatës së Apelit, i beri në Konferencën e Nëntë Vjetore të Gjyqësorit të Kosovës, e cila po mbahet në Prishtinë.
Më poshtë e gjeni adresimin e plotë:
Të nderuar pjesëmarrës,
…
Është vitit i tretë që kam nderin t’i drejtohem këtij publiku, dhe mund të them me bindje se gjithmonë është ndjenjë e veçantë, por edhe përgjegjësi, të flasësh në konferencën më të madhe të gjyqësorit, e cila lirisht mund të quhet edhe si kongresi i gjyqtarëve.
Kësaj radhe kam zgjedhur të flas për një çështje, e cila padyshim është preokupimi i madh për të gjithë ne, e që është trajtimi i lëndëve të lëmesë civile.
Zakonisht kur flasim për drejtësi, diskursi ynë dominohet nga tema, sikurse janë luftimi i korrupsionit zyrtar, krimit të organizuar, terrorizimit etj., tema këto që kryesisht hynë në sferën e lemisë penale, e të cilat gjithsesi janë të rëndësishme.
Edhe progresi ynë, edhe ngecjet tona, edhe suksesi ynë edhe dështimet tona maten nga ajo çfarë kemi bërë në luftimin e këtyre dukurive, përkatësisht në zgjidhjen e lëndëve të këtij karakteri.
Për drejtësinë civile flitet më pak, edhe pse kjo lloje drejtësie, prekë në mënyrë direkte, interesat bazike dhe jetike të një numri më të madh të qytetarëve.
Kur themi drejtësi civile, nënkuptojmë dikë që në rrugë gjyqësore, kërkon të kthehet në punë, apo kërkon kompensimin e një dëmi material, vërtetimin e një të drejte pronësore, njohjen e një të drejte statutore etj. etj. Pra kur themi drejtësi civile, flasim për familjen, mirëqenien, pronën, flasim për vet jetën e qytetarit.
Më duhet të them se përkundër asaj që viteve të fundit Këshilli Gjyqësor i Kosovë, i është qasur më një seriozitet shumë më të madh, zgjidhjes se lëndëve të prapambetura, gjykatat e Kosovës, akoma nuk e kanë arritur progresin e duhur në trajtimin e lëndëve civile.
Sa për ta ditur ku jemi, më lejoni t’i përmend shumë shkurt, disa të dhëna statistikore, të cilat i kemi marr nga Departamenti i Statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sivjet, deri në muajin tetor, gjykatat themelore të vendit tonë, kanë pasur në punë 60, 398 lëndë civile, prej tyre 44, 213 të trashëguara nga vitet paraprake, ndërsa 16,185 lëndë të reja.
Gjatë këtij nëntëmujori, gjykatat kanë arritur t’i zgjidhin vetëm 14, 837 lëndë, ndërsa në punë vazhdojnë të mbesin 45, 561.
Në Gjykatën e Apelit, vitin 2019 e kemi filluar më 11, 552,lëndë civile, i kemi pranuar deri në tetor të këtij viti edhe 4 959, i kemi zgjidhur 6 115, ndërsa vazhdojnë të mbesin në punë edhe 10, 395 lëndë.
Gjithmonë në bazë të të dhënave zyrtare të SKGJK-së, mesatarja e zgjidhjes se një rasti civil në Gjykatën Themelore të Prishtinës, si gjykata më e madhe në vend dhe më e ngarkuara është 1, 763 ditë, apo rreth 5 vjet, ndërsa në përgjithësi në krejt gjykatat e Kosovës është 1,121 ditë apo mbi 3 vjet.
Njësoj shqetësuese gjendja është edhe në Gjykatën e Apelit, ku një rast civil, kohë më parë ka pritur deri në 5 vjet, tash më rritjen e numrit të gjyqtarëve kjo kohë është reduktuar në katër, ndërsa po synojmë që ta rrisim efikasitetin edhe më shumë, ku një ankesë civile të zgjidhet brenda 2 apo 3 vjetësh, e qe do të ishte e përafërt me vendet e rajonit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Është vërtet e pa falshme nga ana jonë, kur padia e qytetarit pret rreth një dekadë për të marr një epilog përfundimtar, pa e llogaritu që lënda mund të kthehet në rigjykim.
Në këtë mënyrë, s’ do mend për ta kuptuar se drejta për një gjykim në kohë të arsyeshme e garantuar në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, po shkelet.
Jemi të vetëdijshëm, për numrin e vogël të gjyqtarëve në raport më lëndët, mungesat në staf ndihmës, dhe të gjitha mungesat tjera të mundshme, por të nderuar kolegë, 20 vjet pas lufte dhe 12 vjet pas shpalljes se pavarësisë, askush nuk do të na mirëkuptoj për këtë, sepse kemi pasur kohë të mjaftueshme, për t’i ngritur kapacitet e nevojshme.
Qytetaret janë lodhur, duke pritur, që t’i realizojnë të drejtat e tyre në rrugë gjyqësore, prandaj e kemi parë se si kontestet pronësore, shpesh janë shkak i zënkave e ngatërresave, pa përjashtuar edhe vrasjet. Një pjesë të fajit për këtë, deshëm apo s’deshëm e kemi edhe ne.
Të gjithë jemi dëshmitarë, ku palët kanë dalë në pension, duke pritur të kthehen në punë, ose edhe me keq akoma, kanë vdekur krejt, duke pritur realizmin e një kompensim demi, apo të drejte pronësore.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kjo situatë kërkon zgjidhje, e zgjidhja duhet të nis prej nesh. PRANDAJ, KËRKOJ NGA KJO KONFERENCË QË VITIN 2020, TA SHPALLË SI VIT TË DREJTËSISË CIVILE.
Le të ulemi të gjithë bashkë, e të shohim se çka mund të bëjmë më shumë. Le ta hartojmë një strategji të qartë, një plan të zbatueshëm e të matshëm, e ku ne fund do të shihen rezultate konkrete.
Ta shohim, se përpos shtimit të numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës çka mund të bëjmë tjetër. A duhet t’i stimulojmë rritjen e normave, a duhet t’i transferojmë ose caktojmë gjyqtarët aktual ku ka më shumë nevojë, a duhet të merret ndonjë iniciativë për ndryshime ligjore etj. etj. Mund të shikojmë edhe se si kanë vepruar vendet e rajonit në të tilla situata. Dikush mund të ketë ide edhe më të mira, e rëndësishme është të kërkojmë zgjidhje.
Natyrisht krejt kjo pa i lënë anash edhe temat tjera, të cilat po ashtu janë preokupim për të gjithë ne, sikur luftimi i korrupsionit, terrorizmit, krimit të organizuar etj.
Për fund, dua të them se askush nuk mund të krenohet në këtë vend, e as që do të ketë kurrë drejtësi të plotë, përderisa nuk e rrisim efikasitetin në zgjidhjen e lendeve civile.
Qytetarët janë lodhur nga pritja. Qytetaret duan punë, duan efikasitet, duan drejtësi.