Të gjithë ne e duam shampanjën, pijen e dashur që nuk i mungon kurrë tryezës festive.
Shampanja prodhohet nga tri varietete rrushi pinot noir, meunier e chardonnay.
Por ajo që na ka bërë gjithmonë kureshtarë janë flluskat e saj shpërthyese që në mesjetë konsideroheshin si vrasëse, për këtë arsye shampanja quhej si vera e djallit.
Aroma marramendëse e shampanjës varet krejtësisht nga cilësia e flluskave të saj. Ky është përfundimi i nxjerrë nga një grup fizikantësh të Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS) në Francë.
Shija e shampanjës nuk varet vetëm nga temperatura në të cilën serviret apo nga forma e gotës, por dhe nga numri i flluskave dhe sasia e tyre të molekulave përgjegjëse për aromën.
Flluska e gazit lind me fermentimin e rrushit që krijon dioksid karboni, vazhdon në shishen e mbyllur ku molekulat e gazit mbeten në një situatë të ekuilibruar.
Më pas përfundon me krijimin dhe ngjitjen e flluskave të gazit drejt grykës.
Sipas një studimi të bërë në universitetin ‘’Pierre et Marie Curie’’ flluskat shpërthejnë pasi arrijnë pikën e kontaktit mes shampanjës dhe ajrit, duke krijuar mijëra pika të vogla që lëshojnë aromë.