Xherdan Shaqirit i kanë mjaftuar 45 minuta lojë te Liverpooli për të lënë gjurmët e mëdha të tij. Shaqiri kontribuoi drejtpërdrejt në dy gola në fitoren 3:0 të Liverpoolit që e regjistroi të shtunën në shtëpi ndaj Southamptonit.
Shaqiri ishte titullar dhe u aktivizua vetëm në pjesëlojën e parë. Kjo ishte ndeshja e tij e parë si titullar prej se u transferua te Liverpooli nga Stoke City, transmeton “Koha Ditore”. Ai pati “gisht” në golin e parë, i cili ishte autogol i Wesley Hoedt (10′) dhe po ashtu në golin e Mohamed Salah (45′) që përfitoi nga gjuajtja e lirë e Shaqirit për të shënuar nga afërsia.
Për Shaqirin kjo ishte paraqitja e tretë këtë edicion në Premier League, kurse Liverpooli i prinë klasifikimit me pikë maksimale pas gjashtë xhirove të zhvilluara. Edhe pse luajti vetëm gjatë pjesëlojës së parë, Shaqiri është shpallur lojtar i ndeshjes nga tifozët. Kjo është bërë e ditur në faqen e Liverpoolit në Facebook.