SHBA: Bashkëpunimi Rusi-Serbi u rrit me ardhjen e Vuçiqit në pushtet

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Marrëdhëniet dyaplëshe ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë kanë qenë të vogla përpara se Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq të merrte pushtetein në Serbi në vitin 2012, thekson një raport i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë.

Sipas raportit, Partia Përparimtare Serbe ka ndërmarrë hapa për të rritur marrëdhëniet e saj ushtarake me Rusinë, gjë që ka rezultuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje zyrtare për bashkëpunim në mbrojtje, në nëntor të vitit 2013.

Kjo marrëveshje 15-vjeçare adreson ndarjen e informacioneve strategjike, shkëmbimet ushtarake dhe pjesëmarrjen në stërvitje ushtarake.

Në vitin 2016, dy vendet kanë krijuar edhe një komision të posaçëm për bashkëpunim ushtarak-teknik.

Serbia tani ofron mjedisin më të butë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

I njëjti kujton se stërvitjet e para ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë, të koduara si SREM-2014, janë zhvilluar në vitin 2014 në Serbi, me përfshirjen e mbi 400 forcave ajrore ruse dhe serbe.

Po ashtu në vitin 2014, Forcat e Armatosura Serbe kanë marrë pjesë për herë të parë në një garë tankesh në Lojërat Ushtarake Ndërkombëtare në Rusi dhe, që nga ajo kohë, vazhdojnë pjesëmarrjen çdo vit, thuhet në raport.

Pesë vjet më parë, përkatësisht më 2014, Forcat e Armatosura Serbe kanë organizuar edhe një paradë ushtarake për presidentin rus, Vladimir Putin, duke i zhvendosur festimet e tyre për Ditën e Forcave të Armatosura.

Raporti vë në dukje se ritmi i stërvitjeve dhe ushtrimeve midis Serbisë dhe Rusisë është rritur që nga viti 2014.

Në vitin 2016, Serbia ka organizuar dy stërvitje trajnimi me Rusinë, ndërsa më 2017, një njësi e këmbësorisë serbe ka marrë pjesë në një stërvitje të përbashkët me forcat ruse, pranë Leningradit në Rusi.

Në tetor të vitit 2017, kujton po ashtu raporti, Rusia i ka dhuruar Serbisë gjashtë avionë të përdorur luftarakë MiG-29.

Sipas disa mediave, Serbia ka porositur edhe katër helikopterë sulmues Mi-35 nga Rusia, ndërsa planifikon të porosisë edhe sisteme të mbrojtjes raketore Pantsir Sl.

Në raportin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes thuhet se Kosova nuk bashkëpunon me Rusinë në asnjë çështje të sigurisë.

Sipas raportit, nisma e Kosovës për të zhvilluar forcën e saj ushtarake dhe dëshira për të siguruar një Plan të Veprimit për Anëtarësim në NATO i kanë kufizuar mundësitë e Rusisë për të ndërhyrë në punët e Kosovës.

Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, raporti thekson se ky vend e ka shmangur pjesëmarrjen në aktivitetet e bashkëpunimit në siguri, që lidhen me Rusinë.

“Dëshira e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO e ka forcuar rezistencën e saj ndaj ndërhyrjes ruse”, thuhet në raport.

I njëjti thekson se kur bëhet fjalë për Bosnje e Hercegovinën, marrëdhëniet e këtij vendi me Rusinë ndërlidhen me tensionet etnike dhe politike atje – marrë parasysh që Bosnja përbëhet nga tri grupe të mëdha etnike: myslimanët, kroatët dhe serbët.

Sipas raportit, ka prova që Rusia po e mbështet një lëvizje separatiste të serbëve të Bosnjës, të udhëhequr nga presidenti Millorad Dodik, me qëllim pengimin e Bosnjës nga anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Blerjet ushtarake të Ballkanit Perëndimor nga Rusia nga viti 2012
Raporti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes e veçon vetëm Serbinë si blerëse të pajisjeve ushtarake nga Rusia – me vlerë një milion dollarë ose më shumë – qysh nga viti 2012.

Nga kjo periudhë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja nuk kanë bërë blerje të tilla.

Bashkëpunimi i Inteligjencës së Ballkanit Perëndimor me Rusinë nga viti 2012
Burime të hapura e kanë lidhur vizitën në Serbi të sekretarit të Këshillit rus të Sigurisë, Nikolay Petrushev, në tetor të vitit 2016, me dëbimin e dy agjentëve të dyshuar të inteligjencës ruse nga Serbia, të cilët janë akuzuar për komplot për grushtshtet në Mal të Zi, thuhet në raport.

Në prill të vitit 2018, ndërkaq, drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për vazhdim të bashkëpunimit dhe aktiviteteve në sektorët e inteligjencës dhe sigurisë.

Nga viti 2012, thekson raporti, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja nuk kanë lidhur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë, në fushën e inteligjencës.

“Kthimi i opinionit publik kundër integrimit euro-atlantik”
Në Ballkanin Perëndimor, Rusia synon të nxisë qëndrime kundër ndikimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe të minojë ndikimin e NATO-s, thuhet në raport.

“Çelësi i strategjisë së Rusisë është kthimi i opinionit publik kundër integrimit euro-atlantik”, thekson raporti, duke shtuar se Rusia, për ta bërë këtë, përdor ndihmën ekonomike, mbështetjen diplomatike, varësinë në energji dhe fushatat dezinformuese.

Raporti po ashtu thekson se qëllim politik afatgjatë i Shteteve të Bashkuara është formësimi i një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe.

Për ta arritur këtë qëllim, është thelbësore që rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë i sigurt, i begattë dhe i lidhur me Perëndimin, thuhet në raport.

Sidoqoftë, ai përmend disa sfida, që thotë se kanë ndikuar qëndrimet evropiane ndaj BE-së dhe zgjerimit të NATO-s – në mesin e tyre: kriza e borxheve në Eurozonë, rritja e numrit të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që kalojnë përmes Ballkanit, Brexit-i apo dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe lëvizjet e tjera populiste evropiane.

Të gjitha këto thuhet se janë shfrytëzuar nga Rusia dhe raporti përmend disa shembuj të, siç thotë, ndikimit malinj rus, përfshirë: përpjekjet për grushtshtet në Mal të Zi dhe fushatën agresive të dezinformimit rus, në përpjekje për të dëmtuar referendumin në Maqedoninë e Veriut për ndryshimin e emrit.

Bashkëpunimi në siguri midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara
Raporti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes kujton se në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka miratuar ligje të reja që garantojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përfshirë themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe shtimin e mbrojtjes territoriale në misionin e FSK-së.

“Politika e SHBA-së ndaj zhvillimit të FSK-së bën thirrje për aderim në planin 10-vjeçar të tranzicionit, të miratuar me ligj, me ndihmën e SHBA-së; rekrutim të vazhdueshëm të komuniteteve joshumicë dhe komunikim dhe koordinim të përmirësuar midis FSK-së dhe NATO-s”, thekson raporti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Në pjesën për Serbinë thuhet se marrëdhëniet në mbrojtje të SHBA-së me këtë vend mbeten të komplikuara, për shkak të dëshirës së Serbisë për të mbetur ushtarakisht neutrale.

Serbia, kujton raporti, refuzon anëtarësimin në NATO, edhe pse është anëtare e Partneritetit për Paqe.

Raporti thekson se Shtetet e Bashkuara janë partneri ushtarak më aktiv i Serbisë dhe se Serbia ka angazhime me Shtetet e Bashkuara dyfish më shumë se me ndonjë vend tjetër.

Sidoqoftë, mungesa e transparencës në përparësitë strategjike dhe operative të Serbisë e ndërlikon marrëdhënien e bashkëpunimit në siguri, thekson raporti, duke shtuar se Rusia është gjithashtu partner i preferuar i Serbisë për Forcat e Operacioneve Speciale.

Për Bosnje dhe Hercegovinën, raporti thekson se ky vend mbështetet pothuajse ekskluzivisht në ndihmën ndërkombëtare për të modifikuar ushtrinë, sepse më shumë se 80 për qind e buxhetit të tij të mbrojtjes shkon në kostot e personelit.

“Struktura komplekse e qeverisjes së vendit kërkon konsensus politik midis tre anëtarëve të Presidencës (mysliman, kroat dhe serb) dhe kjo ndikon në shtrirjen, shkallën dhe ritmin e veprimtarive të bashkëpunimit në siguri me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në raport.

I njëjti po ashtu thekson se me Maqedoninë e Veriut, Shtetet e Bashkuara gëzojnë marrëdhënie produktive bashkëpunimi në siguri që nga viti 1992.

Të ngjashme