Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-ja) i kanë bërë thirrje sërish palës kosovare që të heqë dorë përfundimisht nga ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale
Një gjë të tillë më përpara e kanë kërkuar edhe shtetet e QUINT-it. Madje para dy ditësh në Kosovë ka ardhur edhe një delegacion franko-gjerman pas shqetësimeve për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara. Mirëpo, ndonëse ky delegacion ka zhvilluar vizita me krerët institucionalë (kryeministrin Ramush Haradinajn e Presidentin Hashim Thaçin) institucionet përkatëse nuk kanë dhënë detaje se për çka është diskutuar.
Ndërkohë, pos krerëve institucionalë, gjatë ditës së djeshme takim me këtë delegacion kanë zhvilluar edhe dy partitë opozitare, LDK-ja e LVV-ja.
Përderisa LDK-ja ka njoftuar se gjatë takimit me këtë delegacion emisarët kanë shprehur brengosjen e thellë të Berlinit dhe të Parisit për idenë e shfuqizimit të Speciales, nga LVV-ja kanë thënë se atyre u janë përcjellë qëndrimet e këtij subjekti mbi padrejtësinë e kësaj Gjykate.
Takimi me delegacionin e BE-së, Qeveria e Presidenca s’japin detaje
Ambasada Gjermane në Prishtinë para dy ditësh ka njoftuar për vizitën e delegacionit të jashtëm në Kosovë, i përbërë nga i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach, dhe shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin.