Ambasada Amerikane në Kosovë ka dhuruar një donacion prej 51 mijë dollarësh, në pajisje kirurgjike, për Qendrën Emergjente të QKUK-së.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, falënderoi Ambasadën Amerikane për dhurimin e këtyre instrumenteve kirurgjike, të cilat tha se do të lehtësojnë shumë punën e mjekëve në këtë qendër, raporton Ekonomia Online.
“Instrumentet kirurgjike të dhuruara në formë të donacionit do të lehtësojnë punën e shërbimit emergjent dhe të klinikave tjera që gjatë kujdestarisë shfrytëzojnë sallat e operacionit në këtë klinikë. Po ashtu do të lehtësojnë trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve kualitative për pacientët”, u shpreh drejtori Gjocaj.
Gjocaj theksoi se Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në vazhdimësi ka marrë donacione nga Ambasada dhe populli amerikan. Sipas tij, këto donacione kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Stephen Banks, shef i Seksionit Politik-Ekonomik në Ambasadën Amerikane, tha se është kënaqësi që të vijë sërish në QKUK, kësaj radhe për të dorëzuar zyrtarisht donacionin në vlerë prej 51 mijë dollarësh.
Ai shfaqi shpresën që ky donacion do të ndikojë në mirëqenien dhe në ofrimin e shërbimeve jetike për pacientët që kërkojnë ndihmën mjekësore.
Donacioni përmban 24 lloje të instrumenteve kirurgjike, me gjithsej 2000 copë.
Banks tha se do të vazhdojnë edhe me tutje me donacione të tilla. ShBA, viteve të kaluara, ka dhuruar pajisje për lavatoren qendrore të QKUK-së, ka financuar renovimin e disa klinikave kirurgjike dhe klinikës infektive, në vlerë 2 milionë dollarë, si dhe ka dhuruar pajisje mjekësore dhe set të çarçafëve dhe donacione të tjera të shumta.