Shtetet e Bashkuara kanë dënuar një shtypje të përgjakshme të protestave nga udhëheqësit ushtarakë të Sudanit, duke u kërkuar liderëve që “t’i shmangen dhunës” dhe t’iu rikthehen kontakteve me grupin e tranzicionit, të udhëhequr nga civilët.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmet e fundit ndaj protestuesve në Sudan”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.
“Ne bëjmë thirrje për të kontaktuar me Forcat për Liri dhe Ndryshim, me qëllim të trancizionit, që do të rezultojë me zgjedhje dhe liri të vullnetit nga populli i Sudanit”, ka thënë ai.
Zëdhënësi ka thënë se zyrtarët amerikanë kanë bashkëpunuar me zyrtarë në rajon dhe se Uashingtoni ka mirëpritur së fundmi thirrjet e Unionit Afrikan, Egjiptit dhe Arabisë Saudite për “frenim të dhunës” dhe rikthim të dialogut.
Personeli mjekësor, i lidhur me opozitën ka thënë se të paktën 108 persona janë vrarë, pasi forcat e sigurisë kanë nisur bastisjet në një kamp protestues, i cili është ngritur nga disa grupe, që bëjnë thirrje për rikthim të udhëheqësisë civile.
Ky sulm ka ardhur disa javë pas bisedimeve të zhvilluara mes Këshillit Ushtarak të Tranzicionit dhe mbrojtësve të demokracisë, rreth të ardhmes së këtij shteti, i cili është përfshirë nga dhuna prej muajit prill, kur përmes një puçi është rrëzuar nga pozita e presidentit, Omar al-Bashir.
Ai ka qenë 30 vjet në këtë pozitë.
Ky Këshill, ka arrestuar Bashirin dhe kishte premtuar se do të krijojë rregullin civil në një periudhë tranzitore jo më madhe se dy vjet, mirëpo liderët opozitarë mendojnë se kjo periudhë është shumë e gjatë.